Me rastin e festës së Vitit të Ri 2020, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka uruar të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët, stafin civil dhe gjithë qytetarët e Kosovës, që të festojnë në paqe, harmoni dhe prosperitet festat e fundvitit. Gjenerali Rrahman Rama në urimin e tij, drejtuar stafit ushtarak dhe civil të MM/FSK-së, si dhe qytetarëve të vendit, shkruan: „Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, shumë të dashur familjarë të pjesëtarëve të FSK-së.
Ne ushtarët e FSK-së, garantuesit e sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, në përmbyllje të vitit të parë të tranzicionit, dëshirojmë të urojmë që Kosova, atdheu ynë dhe qytetarët të festojnë në paqe, harmoni dhe prosperitet festat e fundvitit.
Në radhët tona këtë vit kemi një numër të ushtarëve të rinj që u janë bashkuar FSK-së për të shërbyer me nder dhe dinjitet, andaj uroj që ky vit, të jetë një fillim i mbarë në detyrat e shenjta që kemi marr mbi supe.
Duke ju dërguar mesazhet dhe urimet më të mira për të gjithë Ju, kërkoj që respekti, dinjiteti dhe barazia të jenë vlerat që e karakterizojnë FSK-në.
Të dashur ushtarakë të FSK-së nga komunitetet jo shumicë, ndjehuni ashtu siç jeni, ku etnia, kultura dhe besimi janë vlera të shtuara për Forcën. Ne të gjithë së bashku përbëjmë suksesin, ku synimi ynë është ngritja dhe ofrimi i sigurisë dhe mirëqenies për fëmijët tanë.
Urime, shëndet dhe lumturi për Ju dhe familjet tuaja!
Faleminderit për shërbimin! Urime festat e fundvitit dhe gëzuar Vitin e Ri! Srećni novogodišnji praznici!“
Rrahman RAMA, Gjenerallejtënant, Komandant i FSK-së