Është në natyrën time të uroj fitimtarët gjithmonë. Madje, edhe atëherë kur humbësi jam unë personalisht.
Urime për fitoren e “pameritueshme” znj. Presidente!
Shkruan: Gani NEZIRI
“Loja” e politikës zgjedhore tani më përfundoi. Tash është e ndershme të urojmë njëri-tjetrin dhe t’u kthehemi punëve të shtëpisë aty ku na kanë mbetur.
Edhe unë si humbës i zgjedhjeve nuk iu gëzova këtij rezultati. Si ushtar lirie që jam ndjehem krejt i pavlerësuar përballë Presidentes së re por, kështu ishte vendimi i popullit dhe duhet respektuar.
Prandaj, edhe si i humbur ndjehem mirë që populli votoi i lirë. Në fakt, kjo edhe ishte qëllimi i dëshmorëve të lirisë, ani se Presidentja e re nuk ua vari dhe aq bashkëluftëtarëve të atyre dëshmorëve, rrjedhimisht as mua!
Ndoshta, edhe bëri mirë që nuk jua vari sepse, ata ishin të parët që nuk ja varën askujt. Madje, patën harruar edhe familjet e shokëve dëshmorë që i kishim amanet që nga dita e rënies së tyre.
Shumica e familjeve të dëshmorëve ende nuk kanë shijuar frytet e lirisë që sollën të bijtë e tyre. Eh, aty-këtu ndonjë, gjithsesi.
Por, nejse!
Tani, vërtetë duhet t’i kthehemi punës aty ku e kemi lënë. Nuk ka asnjë dobi të humbim kohë duke akuzuar fitimtarët. E madje, as që kemi të drejtë t’i akuzojmë.
Është krejt njësoj sikur në lojën e futbollit. Nuk mund të akuzosh ekipin fitues; pse të futën golin. Fajin duhet kërkuar te bashkëlojtarët tuaj pse nuk ditën të luajnë, as në sulm e as në mbrojtje.
Nuk mund të fitohet “loja” duke u thirr në emrat e lojtarëve të vjetër, në stilin; a e mbani mend sa lojtarë të mirë që kishim dikur moti, pra, “hapni portën t’ua fusim golin”?!
Pas krejt inatit që kam për ndjenjën e humbjes, gjej një fakt gëzimi të rëndësishëm për shtetin tim; është hera e parë në historinë e pasluftës që krerët udhëheqës të shtetit tim mbajnë raporte të mira bashkëpunimi dhe mund të bëjnë një rrugëtim të përbashkët me të njëjtin aeroplan drejt Vashingtonit, Brukselit e Berlinit. Gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot.
Kurrë nuk kanë udhëtuar bashkë vullnetshëm me të njëjtin aeroplan Presidenti e Kryeministri! Gjithmonë ishte një trysni nga jashtë dhe bota qeshte me ne.
Megjithatë, a nuk është një fitore e madhe kjo?! /2LONLINE.com/