Me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka organizuar një program për të shënuar këtë ngjarje historike për vendin tonë.
Përpos stafit akademik, administrativë dhe studentëve të Universitetit, kanë marrë pjesë edhe Hydajet Hyseni dhe Ahmet Isufi, te cilët janë pjesë e të gjitha zhvillimeve të shtet ndërtimit të Kosovës, po ashtu edhe nënshkrues te Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në emër të Rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, të pranishmëve u ka dëshiruar mirëseardhje, Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, derisa ka uruar ata për përvjetorin e shtetit tonë.
Prorektorja Qamili pos tjerash ka thënë se, Shpallja e pavarësisë së Kosovës është rezultat i punës, i angazhimit , i dijes dhe i luftës së pandërprerë të atyre që drejtuan shumë procese gjatë kësaj periudhe, pjesë e së cilës janë shumë intelektual, në mesin e tyre, Hydajet Hyseni, Ahmet Isufi , Rektori i Universitetit tonë, Bajram Kosumi si dhe shumë liderë tjerë.
Ndërsa në fjalën e tij, Hydajet Hyseni, njëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, pasi ka uruar të gjithë për përvjetorin e shtetit tonë, ka thënë se ka kënaqësinë të ndajë para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka” disa nga përshtypjet lidhur me rëndësinë e kësaj date historike për vendin.
Hyseni duke folur në retrospektivë ka thënë se, Kosovës dhe çështjes shqiptare gjithandej i duhet, mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i energjive dhe përpjekjeve të realizimit të qëllimeve tona. Ai ka shtuar se vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojmë ballëhapur para dëshmorëve të atdheut dhe vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pavarësisë të jenë edhe më madhështor.
Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ahmet Isufi, po ashtu nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, pasi ka uruar të gjithë për përvjetorin e Kosovës, ka thënë se, 17 shkurti është datë e rëndësishme ku u kurorëzua puna shumë vjeçare e popullit tonë. Ai ka thënë se nuk ka shqiptarë që nuk ndihet krenar kur kujton 17 shkurtin, e sidomos ata që i takojnë kësaj date historike.
Isufi gjithashtu ka thënë se, janë me fat gjeneratat të cilat kanë përjetuar shpalljen e pavarësisë së vendit tonë dhe se, për këtë meritat më të mëdha i kanë të rënët e luftës së fundit. Deputeti Isufi , ndër të tjera, vlerësoi lartë edhe rolin e studentëve, si paraprirës të themelimit të një baze të fortë të akademikëve dhe profesorëve për shtet ndërtimin e Kosovës. Ai ka thënë se tani në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, është një e arritur e madhe ku përpos tjerash, vendi ynë ka edhe Ushtrinë e saj e cila garanton sigurinë e të gjithëve.
Kryetari i Parlamentit Studentor Adrian Bajrami uroi të gjithë për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se rinia-studentët, janë faktori më i rëndësishëm i ardhmërisë së vendit tonë.
Në ndërkohë , studentja e Fakultetit të Edukimit Adelina Halili, nën përcjelljen e Elona Sdikut, ka kënduar këngën MOJ ARBËRI dhe O VENDI IM, me recitalin e saj, FESTO KOSOVË, është paraqitur studentja e Fakultetit të Edukimit Vlerësina Islami, ndërsa studentja e Fakultetit të Edukimit Fitore Isufi bashkë me grupin e saj, kanë performuar vallen e fyejve.
Derisa, Studentët e Fakultetit të Edukimit nën përkujdesjen e profesorit Ahmet Ibrahimi kanë hapur ekspozitë me vepra figurative, të krijuar nga vet ata.