Kështu ndër të tjerash është thënë gjatë një debati të organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me temën ”Për çfarë Universiteti Publik ka nevojë Gjilani-Anamorava”.
Nga intelektual, profesor universitar, deputet të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile, të cilët morën pjesë në këtë debat, u tha se Gjilani ka potencial njerëzor, kadrovik e profesional për ta kompletuar qendrën universitare dhe se të gjithë ishin optimist se Gjilani shumë shpejt do të bëhet me Universitet Publik.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova tha se Gjilani i ka të gjitha parakushtet dhe potencialin kadrovik e njerëzor që ta kompletojë qendrën e saj Universitare. Duke e përkrahur dhe avancuar idenë që Gjilani sa më shpejt të bëhet me Universitet Publik, Rugova tha se ky rajon ka një hapësirë të madhe gjeografike dhe kufizohet edhe me pjesën e Kosovës Lindore, pastaj ka afër Kumanovën dhe qytetet fqinje Ferizajn e Vitinë.
Ai tha se meqë Gjilani e plotëson edhe faktorin social, e politikë, atëherë është i domosdoshëm themelimi i Universitetit publik sepse do të zhvillohej në sferën arsimore e kulturore Gjilani.
“Kosova Lindore me hapjen e Universitetit në Gjilan do ta ketë shkollën te dera”, ka thënë rektori Rugova, për të shtuar edhe se me hapjen e këtij Universiteti do të shkarkohej nga numri i madh i studentëve Prishtina dhe gjithashtu do të ulej kostoja e shpenzimeve për studentët e këtij regjioni.
Rugova ka kërkuar nga të gjitha shtresat dhe grupimet intelektuale në Gjilan që të bëjnë gjithçka që ta jetësojnë këtë nismë sa më shpejt.
Se Gjilani ka kapacitetet financiare dhe hapësirë për të nisur punën Universiteti, është shprehur edhe i pari i komunës Qemajl Mustafa, i cili ishte ndër të parët që e ka nisur idenë për ta themeluar Universitetin Publik në Gjilan.
“Këtë Universitet e pret një perspektivë e mirë dhe do të ishte mirë që në start të themelohej një Këshill gjithëpërfshirës i cili do të merrej me modalitetet dhe prioritetet e drejtimeve që do të ketë nevojë Gjilani. Gjilani nuk ka nevojë për improvizime, por duhet t`i rreket punës që të ndërtojë amfiteatro modern dhe të ketë një Universitet vërtet evropian”, ka thënë Mustafa.
Jonuz Musliu nga Kosova Lindore tha se nëse dikush i gëzohet kësaj iniciative atëherë janë pikërisht të rinjtë e kësaj ane.
”Edhe pse studentët tanë i kanë të hapura dyert edhe në Shqipëri e Maqedoni, megjithatë hapja e Universitetit në Gjilan do ta lehtësonte shumë punën e studentëve tanë. Mbi gjysmë milioni ka ky rajon dhe vërtet e meritojmë një Universitet Publik”, tha Musliu.
Edhe, Baftjar Kryeziu anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës tha se është momenti i fundit që ta kemi një universitet publik meqë janë të plotësuara kushtet edhe për nga nevoja, kuadri dhe hapësira e lokaleve ekziston, derisa Sadri Ramabaja nga Kolegji “Gjilani” tha se arsimi është fushë e interesit nacional edhe pse kohëve të fundit kjo sferë është shndërruar në katrahurë.
Sipas tij, edukimi nuk është fushë e tregut dhe tha se kuadri i mirëfilltë në Kosovë është i kufizuar. Anamorava ka potencial kadrovik kurse drejtimet që mund të joshin të rinjtë janë agrobiznesi, inxhinieria,gjuhët e huaja si anglishtja e turqishtja etj.
Drita Maliqi deputete në Kuvendin e Kosovës tha se prioritet i Ministrisë së Arsimit duhet të jetë hapja e Universitetit publik në Gjilan, derisa Sabri Tahiri profesor universitar tha se duhet të ekzistojë një plan zhvillimor për degët fleksibile.
Edhe debatuesit e të tjerët në diskutimet e tyre shprehen opinionet për profilet që i duhen një Universiteti në Gjilan. /2lonline/