Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 700 maturantë deri në ditën kur edhe është mbyllur konkursi.
Në bazë të statistikave, ka patur një interesim mjaft të madh të maturantëve për të qenë studentë në Universitetin “Kadri Zeka”, fakulteti më i preferuar ka qenë Juridiku.
Universiteti “Kadri Zeka”, në afatin e parë, për vitin akademik 2017-2018, në fakultet për të cilat ka qenë i hapur konkursi, Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Ekonomik, respektivisht programet Banka, Financa dhe Kontabilitet, programin Marketing dhe programin Menaxhment të studimeve themelore – bachelor do të regjistrojë 523 studentë të rregullt, kurse për programin master E-Qeverisja , program ky i përbashkët në mes tri Fakulteteve- Juridik, Ekonomik dhe Shkenca Kompjuterike, brenda Universitetit “ Kadri Zeka”, do të regjistrojë 39 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se procesi i aplikimit dhe pranimit të dokumenteve ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik. “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, është administruar në mënyrë efikase, dhe nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsi në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Prorektorja Shpresë Qamili.
Ndërkohë, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan më 21. 07.2017 do të mbahet provimi pranuese, ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla do të shpallet në web faqen e universitetit www.uni-gjilan.net më datë 20.07.2017, kurse deri më 25 korrik 2017 shpallen rezultatet në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.
Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, mbrenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen. Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 27.07.2017 duke filluar nga ora 10.00. Kandidatët të cilët nuk janë pranuar, mund t’i tërheqin dokumentet e tyre në fakultetin përkatës nga data 26.07.2017 deri më 28.07.2017.
Regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet në administratën e njësive akademike nga data 25.09.2017 deri më datë 29.09.2017 prej orës 9:00 – 15:00.