Unioni i Komunave të Turqisë, sot ka dhuruar një donacioni për Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), dy makina, të cilat do të shërbejnë për kryerjen e shërbimeve mortore. Njëra do të jetë për Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan.
Në këtë ceremoni të pranim dorëzimit të çelësave të këtyre makinave, e cila u mbajt në oborrin e xhamisë “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë, morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, znj. Kivilicim Kilic, zëvendësdrejtori gjeneral i Hënës së Kuqe të Turqisë, z. Ismail Haki Turu, sekretari i Unionit të Komunave të Turqisë, z. Ahmed Kazan, si dhe kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame (KBI) të Prishtinës dhe të Gjilanit, të cilët do të jenë përfituesit e parë të këtyre makinave.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti u paraqit edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivilicim Kiliç, e cila shprehu falënderimet e veçanta për të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në këtë projekt. Ajo ndër të tjerash përmendi faktin se “Ky projekt dëshmon afërsinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Pra nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepër. Turqia gjithmonë ka qenë afër popullit të Kosovës dhe me kënaqësi themi se bashkëpunimi dhe ndihma dhënë Kosovës do të vazhdojë edhe me tutje”.
Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, falënderoi në emrin e tij personal, në emrin e BIRK-ut, si dhe në emrin e gjithë besimtarëve të Kosovës popullin vëlla turk për ndihmën që ka dhënë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Në fund u bë edhe pranim dorëzimi i çelësave të këtyre veturave, të cilat nuk do të jenë të fundit në vazhdën e këtij aktiviteti.