Sot, në komunën e Vitisë, u zhvillua sesioni i dytë i takimit me përfaqësuesit e UNDP-së, në kuadër të përzgjedhjes së bizneseve që do të përfitojnë nga projekti “In Motion”.
Në takim u prezantua programi dhe mekanizmat mbështetës që do të ofrohen për këto biznese, duke përfshirë përmirësimin e imazhit komercial, trajnime, dhe pajisje të reja.
Ky projekt ka për synim mbështetjen dhe fuqizimin e bizneseve të vogla në komunën e Vitisë, ndërsa takimi i sotëm me 12 biznese të vogla micro urbane që janë përzgjedhur, ka rezultuar edhe me nënshkrimin e kontratave me to.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, shprehu falënderime të veçanta për UNDP-në, duke theksuar bashkëpunimin e suksesshëm që kanë pasur ndër vite në realizimin e projekteve të rëndësishme për komunën. “Ne me UNDP edhe kemi bashkëpunuar edhe kemi bashkë participuar në projekte që janë realizuar në të kaluarën në komunën e Vitisë. E përkrahim këtë projekt dhe e konsiderojmë shumë të rëndësishëm që ka për qëllim mbështetjen e bizneseve të vogla,” u shpreh Kryetari Haliti.
Alban Kryeziu, menaxher i projektit, bëri të ditur se interesimi për të aplikuar ka qenë tejet i madh, por se janë përzgjedhur 12 biznese micro urbane. Ai theksoi se profilet e bizneseve që janë përzgjedhur nga programi In Motion në Viti, përfshinë furrë buke, rrobaqepësi, floktari, markete të vogla, mishtore, dyqan të dekorimeve për evente të veçanta dhe fotograf. Kryeziu gjithashtu tha se programi synon të zgjerohet si projekt që të mbështesë edhe bizneset e mesme, për të vazhduar më tej edhe në biznese të mëdha.
Projekti “In Motion,” i udhëhequr nga UNDP, synon të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e bizneseve të vogla në këtë rajon, duke iu ofruar atyre mjete dhe mbështetje për të rritur konkurrencën dhe mundësitë e zhvillimit. /2LONLINE/