Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka së bashku me Dekanin e Fakultetit Ekonomik Xhevat Sopi, profesorin Selim Daku dhe asistentin Lulzim Rashiti, kanë marrë pjesë në forumin e gjashtë të Rektorëve të Universiteteve të Evropës Jug-lindore dhe Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Universitetin e Beogradit.
Në këtë Forum, përfaqësuesit e universiteteve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar përvojat e fundit të bashkëpunimit ndëruniversitar të rajonit të Ballkanit Perëndimor, strukturën dhe funksionalitetin e Forumit të Rektorëve, si dhe propozimet për përgatitjen e një plani të veprimit për një periudhë 3-vjeçare.
Forumi i Rektorit synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në fushat e kërkimit shkencor, mobilitetit të studentëve dhe stafit, programeve postdoktorale, ndarjes së pajisjeve dhe përgatitjes së artikujve dhe botimeve të përbashkëta, aplikimit të përbashkët në projekte evropiane dhe aktivitete të tjera të përbashkëta, organizimin e seminareve, projekteve për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Universitetet pjesëmarrëse në këtë forum kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të qenë kontribuuese aktive dhe proaktive në këtë proces. Në anën tjetër, prania dhe kontributi i Prorektorit Dukagjin Leka në forum, hyn në vazhdën e rolit aktiv të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, të shprehur në nivel rajonal dhe më gjerë, në plan ideor, organizativ dhe koordinues.
Ndryshe në Forumin e 6-të të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, kanë marrë pjesë përfaqësues nga më shumë se 20 universitete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. /2LONLINE/