Delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, i kryesuar nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, po vazhdojnë javën studimore “Mobility Exchange for Staff and Students” të organizuar nga Universiteti PH Zug në Zvicër.
Delegacioni përfshin gjithashtu Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, anëtaren e Këshillit Drejtues Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, U.D. udhëheqësin e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime, Betim Berisha, si dhe disa studentë të UKZ-së.
Gjatë vizitës atje, delegacioni i UKZ-së udhëhequr nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku është pritur nga Rektorja e PH Zug, Prof. Dr. Esther Kamm dhe ekipi i saj. Në këtë takim, Rektori Dërmaku dhe Rektorja Kamm kanë nënshkruar marrëveshjen e re të bashkëpunimit mes dy institucioneve, duke e thelluar më tej një partneritet tashmë të suksesshëm.
Marrëveshja e re synon të forcojë bashkëpunimin për shumë vite në vazhdim, duke ofruar përfitime për studentët dhe stafin e të dy universiteteve.
Gjatë diskutimeve u theksuan iniciativa konkrete, përfshirë organizimin e një shkolle verore të përbashkët, shkëmbimin e mësimdhënësve të shkollave fillore, zhvillimin e një programi të përbashkët në Fakultetin e Edukimit, vazhdimin e shkëmbimit të stafit dhe studentëve, si dhe zbatimin e projekteve për ngritjen e kapaciteteve dhe përshtatjen e kurrikulave.
Gjithashtu gjatë takimit, u bë e ditur se UKZ dhe PH Zug kanë fituar një projekt të përbashkët, i cili parashikon shkëmbimin e 5 mësuesve nga rajoni i Gjilanit me mësues të Zug-ut, me shpenzimet e mbuluara nga Qeveria Zvicerane.
Këto shkëmbime do të ndihmojnë në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe fuqizimin e lidhjeve arsimore mes dy vendeve.
Takimet e delegacionit të UKZ-së në PH Zug po zhvillohen me frymë bashkëpunimi dhe vizion për projekte të reja të përbashkëta. /2LONLINE/