“Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm këtë vit sa i përket bashkëpunimit në arenën ndërkombëtare në kuadër të ERASMUS+. Kjo arritje është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të stafit akademik dhe administrativ të UKZ-së, si dhe mbështetjes së fuqishme nga studentët dhe partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e UKZ-së.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka tha se, nga 16 projekte të aplikuara (2 si koordinator), UKZ ka arritur që në thirrjen e fundit të fitojë tre (3) projekte Erasmus+ CBHE, duke vazhduar rrugën e sukseseve në zhvillimin e universitetit nëpërmjet projekteve që financohen nga BE, respektivisht Komisioni Evropian, duke rritur ndjeshëm kapacitetet tona në fushën e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik.
“Ky sukses nuk është vetëm një tregues i cilësisë së punës që po bëhet në UKZ, por edhe një motivim për të vazhduar përpjekjet tona për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor, duke u pajisu edhe me teknologji informative të cilat do të blihen me fondet e këtyre projekteve.
Përmes këtyre projekteve, ne synojmë të krijojmë mundësi të reja për studentët dhe stafin tonë, për të marrur njohuri të nevojshme për t’u përballur me sfidat e së ardhmes” ka thënë prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte në UKZ .
Ai falënderon të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje, menaxhmentin e UKZ, udhëhequr nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili ka vendosur si prioritet zhvillimin e Universitetit nëpërmjet projekteve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke sjellë përvojat më të mira nga vendet e BE dhe rajonit në UKZ.
Po ashtu prorektori Leka ka falënderuar edhe stafin akademik dhe administrativ, studentët e shkëlqyer dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin.
“Suksesi i arritur këtë vit është dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për studentët dhe për komunitetin e gjerë” ka thënë prorektori Leka. /2LONLINE/