Sporti, ndonjëherë duhet t’i lërë vendin ngjarjeve më të rëndësishme, që ndodhin në botë.
Të hënën, për shkak të destabilitetit politik që po kalon Ukraina, ekipi kombëtar i futbollit të këtij vendi ka anuluar miqësoren me Shtetet e Bashkuara, që ishte parashikuar të luhej të mërkurën në Qipro.
Anatoliy Konkov, president i Federatës ukrainase të Futbollit, njoftoi vendimin në një deklaratë televizive për Reuters: “Ne nuk mund të zhvillojmë normalisht kampionatin kombëtar, ndaj dhe nuk di se për çfarë lloj futbolli mund të flasim. Nëse nuk mundemi të luajmë në fushën tonë, përse duhet të shkojmë në Qipro, në këto momente tepër shqetësuese për vendin? Ne luajmë vetëm për njerëzit tanë dhe për vendin tonë, ndaj dhe ekipi ynë nuk do të shkojë në Qipro, por do të qëndrojë në shtëpi”.
Kur u pyet mbi statusin e ndeshjes, zëdhënësi i Federatës amerikane të Futbollit, Neil Buethe, tha për Reuters: “Kemi qenë në kontakt me Federatën ukrainase dhe po presim konfirmimin përfundimtar, por sigurisht që do të donim që Ukraina të udhëtonte drejt Qipros për të luajtur”.
Dyshimet mbi zhvillimin e kësaj miqësoreje u ngritën pas krizës mes Rusisë dhe Ukrainës. Spektri i një lufte të mundshme është zgjeruar, ndaj dhe vëmendja e botës është fokusuar te dhuna në rajon.