Me iniciativën e udhëheqësit të Zyrës për të Drejtat e Njeriut e Komunitetit, Ardian Foniqi janë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi në mes të OJQ “Down Syndrom Kosova” në Gjilan me donatorët, Kompania e ujit “Dea” dhe ajo e ndërtimit të banesave “Xhevda MAAE”.
Sipas marrëveshjes, kompanitë në fjalë janë zotuar që t’i furnizojnë me ujë të pijes dhe shujta ditore për një vit, 40 anëtarë që marrin shërbime në “Down Syndorm Kosova” në Gjilan.
“I falënderoj donatorët për mbështetjen që dhanë për këtë kategori të fëmijëve, të cilët deri tani këto shërbime nuk i kanë gëzuar, ndërsa tani e tutje falë këtyre dy donatorëve do t’i kenë”, ka thënë Ardian Foniqi, udhëheqës i Zyrës për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitetit në Gjilan.
Sipas tij, kryetari i komunës, Alban Hyseni, është i përkushtuar që të mbështesë këtë OJQ, së cilës kohë më parë i është dhënë në shfrytëzim objektit për t’i zhvilluar aktivitetet ditore me këta 40 fëmijë.
Përndryshe, marrëveshja është nënshkruar nga drejtoresha e “Down Syndrom Kosova” Sebahate Hajdini – Beqiri në njërën anë dhe nga pronari i kompanisë “Xhevda MAAE”, Xhevdet Hajrullahu dhe Kushtrim Avdyli nga kompania “Dea”. /2LONLINE/