Ndonëse fushata elektorale nuk ka nisur ende zyrtarisht, nga frika e humbjes në zgjedhjet e 17 Tetorit, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka filluar prezantimin e të arriturave të tij përgjatë katër viteve të qeverisjes.
Shkruan: Bashkim ISUFI
Pa fije turpi, deklaron se gjatë mandatit qeverisës kanë vendosur balancë investimesh qytet-fshat.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, para banorëve të fshatit Uglar kishte thënë se me qeverisjen e LDK-së të gjitha problemet e fshatit do të zgjidhen.
Sot i rikujtojmë, deklaratën e dhënë para të pranishmëve në tubimin zgjedhor të mbajtur në këtë fshat, ku pati deklaruar se: “Për Gjilanin punojmë nëse punojmë për Uglarin. Kur kanë nevojë me ardhë me lypë vota, vijnë këtu, a kur të vie puna me marrë tendera, i marrin për veti, ia japin jabanxhinjve. Uglari e ka hisen e vet në buxhet të komunës. Është gjynah që shkolla s’ka nxemje. S’ka rrugë si i ka hije. Ka probleme me ujë të pijës e me kanalizime. Bërllokun e sjellin prej Ferizajt këtu. Por, unë ju them që Ferizaj e Kaçaniku le t’ia bëjnë qaren vetit sepse nuk do ta lejoj që t’i sjellin mbeturinat këtu. Uglarin e ka bërë deponi të bërllogut. A ka më keq? Kjo është e tmerrshme”.
Kryetari Haziri për gjatë dy mandateve të qeverisjes, jo që e harroi si fshat, Uglarin, por harroi edhe atë që jet e pat thënë se: Uglari e ka hisen e vet në buxhet të komunës.
Banorët e fshatit Uglar, vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijes. Pa ujësjellës, e me ujë të puseve, i cili është jocilësor, edhe pse qysh nga viti 2013 ekziston projekti dhe nuk kanë munguar as premtimet për realizimin e tij.