(2L ONLINE) – Pesë shfaqje teatrale do të jenë pjesëmarrëse në njërën nga katër shtyllat kryesore të manifestimi kulturor “Flaka e Janarit”, e që është ajo e artit skenik që njihet si “Talia e Flakës”, që do të nis të premten me 23 janar e që do të zgjasë deri më 27 janar, ku për çdo mbrëmje do të kemi nga një shfaqje, pas shfaqjeve do të ketë tryeza të bisedimeve ndërsa, në natën e fundit do të bëhet edhe ndarja e çmimeve si dhe do të përmbyllet ky Festival, për t’i lënë rrugë aktiviteteve tjera muzikore e letrare të “Flakës së Janarit 2015’ .
Ky Manifestim që organizohet tradicionalisht në qytetin e Gjilanit, në nderim të heronjve dhe martirëve të historisë shqiptare, të rënë përgjatë rrugëtimit të gjatë për liri e mëvetësi kombëtare kësaj here do të sjellë në skenën e Teatrit shfaqje nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria.
Ali Demi, drejtor i Teatrit të Gjilanit ka bërë me dije për Portalin 2L ONLINE, se Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës”, do të hapet me premierën e shfaqjes “UFO-të”, të Teatrit të Gjilanit , një shfaqje kjo nga Bashkim Hoxha me regji të Erson Zymberit. Në natën e dytë do të kemi shfaqjen “Për pushtet jap:”, të tetovarëve, një shfaqje kjo me autor e regji të Burhan Amitit.
Nata e tretë e Festivalit të Dramës Shqipe do të jetë e rezervuar për Teatrin Kombëtar të Kosovës që vije me shfaqjen “Dashnori i nënës sime”, me autor Adem Mikullovci e me regji të Iliriana Arifi.
”Talia e Flakës” do të vazhdoj tutje po me një shfaqje nga Prishtina, kësaj here na vije Teatri Dodona, me shfaqjen “Trangullat’ me autor Jahi Jahiu e me regji të Agim Selimit, derisa në natën e pestë, të fundit të festivalit, do të jepet shfaqja “Vërtitu kokë e prerë’, të Teatrit Poetik Labëria me autor Petrit Ruka e me regji nga Naim Shundi.
Në këtë natë do të ndahen edhe çmimet dhe do të përmbyllet Festivali në fjalë. Ndryshe, të gjitha shfaqjet nisin në ora 19:00. /2L ONLINE/
Ali DEMI