(2LONLINE) – “Shtegtarët e lirë”, grup ky i përbërë nga Ekrem Avdia, Jahi Mustafa, Nazim Ajdini, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha kanë nisur sot rrugëtimin në këmbë prej Gjilanit drejt Brukselit dhe me moton “5 milion hapa për një hap”, synojnë të përçojnë mesazhin në Bashkimin Evropian(BE), se edhe për qytetarët e Kosovës duhet bërë liberalizmi i vizave.
E për ti dëshiruar rrugë të mbarë këtyre qytetarëve , ka dal edhe kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu dhe të tjerë, por edhe familjarë e miq të këtij Grupi. Me këtë rast Haziri ka thënë se këta shtegtarë të lirë, po e bëjnë një veprim të madh, po e bëjnë përmes “5 milion hapave të vegjël një hap të madh”, në këtë udhëtim të tyre 78 ditor.
Haziri ka rikujtuar se një pjesë e këtij grupi një veprim të tillë, ecje në këmbë nga Gjilani drejt Vlorës e kishin bërë edhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar duke përçuar kështu mesazhin e sakrificës së popullit shqiptarë për të qenë i lirë.
Në këtë vazhdë, sipas Hazirit, tani ky grup po e nis rrugëtimin e tij në këmbë drejt kryeqytetit të Evropës , me një qëllim të madh, për të përçuar mesazh e qytetarëve të Kosovës për ecje të lirë, për mundësi të lira si edhe të tjerët.
Haziri ka uruar që këta qytetarë në rend të parë të kenë shëndetin dhe të arrijnë pas 78 ditëve shëndosh e mirë në Bruksel e ku tha se do tu bashkohet pastaj për tu kthyer bashkë me ta, ndërsa u shpreh i bindur se në cilindo shtet që do të kalojnë dhe edhe kur të arrijnë në Bruksel , këta qytetarë do të bëjnë që të ndihemi krenarë të gjithë ne.
E mbështetje Grupit prej pesë vetash që janë nisur në këmbë për në Bruksel, u ka dhënë edhe Ardian Bytyqi, përfaqësues i Ministrisë së Diasporës , i cili ka thënë se përgjatë rrugëtimit të tyre kudo që të jenë do ta kenë mbështetjen e tyre.
Në emër të Grupit, Ekrem Avdija i ka falënderuar të gjitha ata që kanë ndihmuar që kjo iniciativë e tyre të bëhet realitet dhe po nisen të lumtur që kahdo që do të shkojnë do të përçojnë mesazhin se edhe Kosova është pjesë e Evropës dhe edhe qytetarët e saj duhet të lëvizin lirshëm.
Ndryshe, kjo rrugë do të zgjasë 78 ditë dhe do të jetë e gjatë 2557 kilometra ndërsa shtegtarët e lirë do të kalojnë nëpër Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Itali, Austri, Gjermani dhe Belgjikë. /2lonline/