Sot në Prishtinë, në kuadër të projektit “Ti je pjesë atdheut”, Ministra e Diasporës publikoi rezultatet preliminare të Regjistrit të Diasporës.
Regjistri i Diasporës dhe Mërgatës, i ekonomive familjare, i personave dhe i bizneseve është projekt i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i implementuar nga Ministria e Diasporës
Procesi i regjistrimit të diasporës u mbështet nga Ministria e Jashtme e Finlandës dhe UNDP-ja, përmes projektit DEED (programi për përfshirjen e diasporës në zhvillimin ekonomik).
Qëllimi i regjistrimit ishte sigurimi i të dhënave për numrin e saktë të pjesëtarëve të diasporës në shtete të ndryshme të botës, shtrirjen e tyre gjeografike, strukturën demografike, e gjithë kjo në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor.
Po ashtu, bazuar në këto të dhëna, institucionet tona do të mund të hartojnë politika më të mira për bashkatdhetarët, të krijojnë lehtësira për shërbime më efikase, si dhe të organizojnë aktiviteteve në vendet pritëse, por edhe në Kosovë.
Në fjalën e tij, ministri i Diasporës, Valon Murati, theksoi se Diaspora është resurs njerëzor, i cili çdo herë e më shumë po merr cilësi të jashtëzakonshme. Ajo do të jetë element i rëndësishëm jo vetëm i jetës ekonomike, por edhe shtyllë e rëndësishme socio-ekonomike në zhvillimin e vendit.
“Për ta njohur shtrirjen demografike, numrin e pjesëtarëve në diasporë, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Diasporës e nisi këtë proces të regjistrimit, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Në vitin 2015 dhe 2016, MeD-ja ka qenë e përqendruar në regjistrimin fizik, domethënë regjistrimin e bashkatdhetarëve tanë kryesisht gjatë verës.
Përqendrimi kryesor i gjithë punës sonë dyvjeçare ka qenë te regjistrimi fizik i bashkatdhetarëve, i cili është bërë në qytete, pika kufitare e aeroport. E gjitha puna rreth këtij procesi ka përfunduar me këtë studim, që do të jetë një bazë e mirë për politikëbërësit, për studiuesit e çështjeve të diasporës, jo vetën tonës, por edhe të tjerave; do të jetë material shumë i dobishëm për organizatat e ndryshme joqeveritare, qoftë vendëse a ndërkombëtare.
Është studimi i parë i këtij lloji në Kosovë në fushën e trajtimit dhe studimit të demografisë, fenomeneve të tjera shoqërore të diasporës.
Sa u përket shifrave, nga 400 mijë aplikacione që janë përpunuar deri në fund të vitit 2016, kemi krijuar një bazë të të dhënave prej 342.803 pjesëtarëve të diasporës. Kjo shifër është një bazë e mirë për të vazhduar tutje me regjistrimin “online”, tha ndër të tjera ministri i Diasporës, Valon Murati.
Më pas, demografi Kadri Sojeva shpjegoi në formë tabelare shpërndarjen gjeografike të diasporës nëpër botë, sipas emigrimit, moshës, gjinisë e statusit.
Po ashtu, në këtë ngjarje u hap edhe fushata e regjistrit elektronik, që do të zgjasë deri në vitin 2021, kur do të publikohen rezultatet përfundimtare të këtij procesi.
Megjithëkëtë, diaspora edhe pas kësaj kohe do të ketë mundësi të regjistrohet. Të gjitha të dhënat e diasporës janë të mbrojtura me ligj.