Në kuadër të procesit të riakreditimit të programeve studimore të Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, sot janë mbajtur takimet me ekspertët ndërkombëtar për riakreditimin e programeve master, Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale dhe E-Qeverisje.
Ekipi i ekspertëve i përbërë nga Prof. Peeter Normak, Prof. Peter Parycek, znj. Katarina Klimoska dhe zyrtarja nga Agjencia e Kosovës për Akreditim Leona Kovaçi kanë zhvilluar takime të ndara me grupet e organizuara nga UKZ për këtë proces.
Ata fillimisht kanë takuar menaxhmentin e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike ku programi E-Qeverisja si dhe programi Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale është i integruar, pastaj kanë pasur takime me përfaqësues të sigurimit të cilësisë dhe stafin administrativ, takim me stafin akademik, takim me studentë të cilët kanë pasqyruar një diversitet në drejtim të fushave të studimit, programit, ciklit të studimit, vitit të studimit, po ashtu është mbajtur takim edhe me drejtuesit/bartësit e programeve të studimit, ndërkohë kanë takuar studentët e diplomuar/Alumi, kanw pasur takim me punëdhënësit e të diplomuarve dhe palët e jashtme të interesit.
Gjithashtu ekipi i ekspertëve ndërkombëtar ka vizituar objektin, sallat, kabinetet dhe laboratorët, ku kanë parë nga afër hapësirat e zhvillimit të procesi mësimor.
Menaxhmenti i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ka thanë se takimet me ekspertë kanë shkuar shumë mirë dhe se në UKZ ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm sa i përket procesit të riakreditimit të programeve master, Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale dhe E-Qeverisje, për çka ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në këtë proces. /2LONLINE/