Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt një takim informues për mësimdhënësit në marrëdhënie të rregullt pune, me qëllim të njoftimit të tyre rreth mënyrës së konkurrimit për zbatimin e granteve të projekteve mësimore të bazuara në hulumtim.
Ky takim u zhvillua si pjesë e Programit të Mësimdhënies së bazuar në punë hulumtuese, i cili mbështetet nga projekti “Intervenimet në arsimin e lartë 2025” (HEI’25) dhe realizohet në konsultim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe përfaqësues të universiteteve publike në Kosovë.
Sesionin informues e udhëhoqën znj. Edita Buqinca, Menaxhere e Projektit HEI’25, ku në këtë ngjarje morën pjesë edhe Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, stafi menaxhues dhe profesorë e asistentë të Universitetit. Rektori Dërmaku inkurajoi stafin akademik të aplikojnë për këtë thirrje, duke theksuar se kjo skemë është një mundësi e mirë për stafin e ri akademik që të marrë financim për zbatimin e teknikave të mësimdhënies duke udhëhequr projekte kërkimore.
Projekti HEI’25 është në vlerë deri në 10 mijë euro dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) ndërsa zbatohet nga dy organizata partnere – Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).
Gjatë takimit, nga Dibran Hoxha, Koordinator i Aktiviteteve të ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim që është partner në projektin “Intervenimet në arsimin e lartë 2025” (HEI’25) , u prezantuan edhe mundësitë e fitimit të granteve për studentët, bazuar në hulumtim.
Studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” patën rastin të shprehin interesimet e tyre rreth projektit dhe mundësive të kësaj skeme.
Ndikimi afatgjatë i këtij projekti pritet të jetë përmirësimi i cilësisë, efektivitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit të arsimit të lartë. Ky përmirësim do të arrihet duke ndihmuar në veprimet dhe proceset kyçe që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë, si llogaridhënia, transparenca, integriteti akademik, digjitalizimi dhe aktivizmi studentor.
Këto objektiva do të realizohen nëpërmjet asistencës teknike, mbështetjes për stafin akademik dhe zbatimit të aktiviteteve përkatëse monitoruese në bashkëpunim me partnerët dhe përfituesit e projektit. /2LONLINE/