Në prani të shumë mysafirëve, ku merrnin pjesë ish kryetar të komunës, përfaqësues të policisë, OVL të UÇK-së, Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve, organizatave të ndryshme joqeveritare e mysafirë të tjerë, është mbajtur sot seanca inauguruese e Kuvendit Komunal të Vitisë, me që rast 27 këshilltarët e Asamblesë komunale, kanë dhënë betimin.
Njëkohësisht, edhe kryetari i komunës Sokol Haliti, ka dhënë betimin për të udhëhequr me mandatin e tretë në krye të këtij Institucioni edhe për katër vitet e ardhshme.
“Jemi mbledhur për të zyrtarizuar mandatin e këshilltarëve të rinj të kësaj asambleje nga zgjedhjet e fundit lokale të 17 tetorit, që do të jenë zëri i qytetarëve të komunës së Vitisë. Do të jemi të përkushtuar që të përfaqësojmë interesat e qytetarëve pa dallim partish. Mandati i ri që më është dhënë nga qytetarët, është përgjegjësi e obligim për mua, prandaj do të angazhohem e do të jem i përkushtuar për një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, për arsim, shëndetësi, kulturë e sport, bujqësi e gjitha sferat e jetës. Do të angazhohem për transparencë e llogaridhënie”, ka thënë kryetari Haliti.
Më tej ai ka kërkuar bashkëpunim nga të gjithë e po ashtu edhe nga subjektet e përfaqësuara në Asamblenë komunale, për ti quar projektet përpara që janë në interes të qytetarëve.
Seancën inauguruese e udhëhoqi këshilltari më i vjetër i kësaj përbërje të Kuvendit Reshat Azizi.
Në shenjë nderimi për kontributin e dhënë për çështjen e sendërtimit të shtetit të Kosovës, të senatorit amerikan Bob Doll, i cili dje ndërroi jetë dje, kryetari Haliti kërkoi nga të pranishmit për një minutë heshtje.
Ndryshe, përbërja e re e Kuvendit komunal i Vitisë do të jetë: 11 këshilltar nga LDK, 8 nga VV, 7 janë nga radhët e PDK-së dhe 1 këshilltar nga AAK. /2LONLINE/