Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, në Grykën e Karadakut, në hapësirat e restorant Dunav -it, u mbajt “Trekëndëshi poetik i paqes”, si manifestim tashmë tradicional dhe i konceptuar për ta shënuar Ditën e Lirisë së Kosovës dhe, Ditën e Çlirimit të Gjilanit.
Krijues e artdashës, nga hapësira e këtij trekëndëshi kufitar, në të cilat shtrihen dhe tri qytete si Gjilani, Kumanova e Presheva, bashkë dhe me krijues nga treva tjera shqiptare, u mblodhën për të nderuar përmes vlerave poetike gjithë atë kontribut kombëtar e ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës, e këtë herë edhe jetën e veprën e shkrimtarit gjilanas, Beqir Musliut, në 25 vjetorin e kalimit të tij në amshim.
Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport e Gjilanit, Deniza Limani, në fjalën e saj të rastit, kujtoi këtë datë të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, duke i përgëzuar krijuesit e pranishëm në këtë Manifestim për kujdesin ndaj këtyre datave dhe përkushtimeve si dhe afirmimin e po këtyre vlerave esenciale njerëzore e kombëtare përmes artit letrar.
“Ju do ta keni përherë mbështetjen e institucioneve komunale të Gjilanit si dhe të kryetarit të Komunës, sepse jo vetëm po krijoni vlera, po edhe po i afroni krijuesit e rajonit si dhe bashkërisht po i afirmoni vlerat tona letrare e kulturore, dhe ne këtë e çmojmë. Por, edhe po i përkujtoni emrat më të rëndësishëm të letrave tona, siç ishte vitin e kaluar Mirko Gashi e kësaj here shkrimtari Beqir Musliu”, u shpreh para dhjetëra krijuesve, Limani.
Ajo i njoftoi të pranishmit edhe me veprimtaritë tjera komunale me rastin e Ditës së Çlirimit të Gjilanit.
Shkrimtari Sabit Rrustemi, në emër të Ars Clubit dhe Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, në fjalën e tij, u përqendrua te rëndësia e këtij Manifestimi, jo vetëm për hapësirat e këtij trekëndëshi kufitar që lidhë tri shtete sot, por edhe të tjerat rreth tyre si dhe ndikimin integrues e afirmues të vlerave letrare e kulturore gjatë këtyre 11 edicioneve të deritashme.
Më pas, shkrimtari Shaip Beqiri, njëri nga miqtë më të afërt të Beqir Musliut, i cili qe tri dekada jeton e vepron në Zvicër, foli gjerë e gjatë për angazhimin intelektual e letrar të Beqir Musliut, veçmas në fushën e letërsisë, në poezi, prozë e dramë, duke e cilësuar emrin e tij si njërin nga “gjigantët” e letërsisë sonë.
Beqiri, gjithashtu, e potencoi faktin se Beqir Musliu ishte i pari shkrimtar shqiptar që i kushtoi një kurorë sonetike Skënderbeut, në 500 vjetorin e vdekjes së tij, po, afërsisht në të njejtën kohë ( 1968 – 1971) një kurorë sonetike ia kushtoi edhe poetit të martirizuar, Fazli Grajçevcit, që gjithashtu flet edhe për një guxim të madh krijues e atdhetar të këtij emri, nga më emblematikët në letërsinë shqipe.
Edhe poetët e kritikët letrarë, Nexhat Rexha e Arsim Halili, shtjelluan e vlerësuan dy kurora sonetike të Beqir Musliut, “Pluhur Ashtëror” e “Vdekja e poetit”, duke i vu në pah aftësitë poetike të këtij shkrimtari me nam.
Rreth dy botimeve të reja që u prezantuan në këtë Manifestim dhe që lidheshin pikërisht me përmbajtjen e sivjetme të këtij edicioni, si revista “Trekëndëshi Poetik” dhe “Në peshoren e vlerësimit letrar”, vepër me shkrime e vlerësime për krijmtarinë letrare të Beqir Musliut, foli studiuesi i letërsisë, shkrimtari Anton Nikë Berisha.
Në ndërmjetëza, artistët e skenës, veterani Luan Daka dhe e reja Elenë Hajdari, deklamuan fragmente nga krijimtaria e bollshme e Beqir Musliut.
Ndërsa dhe poetët Nehas Sopaj, Sarë Gjergji, Mehmetali Rexhepi, Xeladin Mjeku, Izet Abdyli e Alketë Spahiu, lexuan përkushtime poetike për Beqir Musliun apo dhe poezi nga opusi i gjerë i tij.
Në Orën poetike të këtij Manifestimi që titullohet, “Koha e poezisë”, të cilën gjithashtu e moderoi artistja e skenës, Xhezide Selimi, me krijimet e tyre poetike u paraqitën edhe, Bujar Salihu, Adem Gashi, Ramadan Mehmeti, Sabile Basha-Keqmezi, Prend Buzhala, Afrim Demiri, Fatos Rushiti, Sulejman Dërmaku, Biser Mehmeti, Selvete Abdullahu, Sunaj Raimi, Selajdin Shabani, Baki Krasniqi, Nazmije Hasani, Demush Mehmeti e Musa Ahmeti.
Manifestimi, që u organizua nga Ars Clubi dhe Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, u mbështet në masë edhe nga Komuna e Gjilanit, derisa pritet mbështetje edhe nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Republikës së Kosovës. /2LONLINE.com/