Në ambientet e Kazermës “Evropianët e Rinjë ” në Pomozotin , u mbajt sot ceremonia zyrtare me rastin e pensionimit të rregullt të Komandantit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral brigade Xhevahir Geci.
Për ta falënderuar për kontributin e dhënë ndër vite para familjarëve, miqve, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve të gjeneral Gecit foli zëvendës komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral major Enver Cikaqi dhe zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare kolonel Shaip Haziri.
Në fjalën e tij gjeneral Cikaqi vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e gjeneral Gecit për shtet ndërtim “ Gjeneral Geci ka një bagazh të madh të kontributit të tij për shtet ndërtim, duke filluar që nga aktivitetet e vitit 1992, për të vazhduar më pas si epror i UÇK-së dhe TMK-së dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e transferimit dhe të gjitha të arriturave të deritashme në FSK. Gjeneral Geci kudo që ka shërbyer ka qenë shembull i veçantë për të gjithë ne, duke krijuar marrëdhënie të jashtëzakonshme njerëzore me gjithë stafin e tij”.
Para të pranishmëve foli edhe kolonel Shaip Haziri i cili u shpreh që ndjehet mjaft krenarë që ka punuar deri me tani me gjeneral Gecin “ Gjeneral Geci çdo herë tregoi gatishmëri dhe vullnet komandues për të ofruar udhëzim dhe drejtim për Komandën dhe Njësitë e Gardës Kombëtare, në mbajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, për të qenë të gatshëm të veprojmë me efikasitet në operacione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.”
Ndërsa në fund të ceremonisë , në fjalën e tij përshëndetëse, komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Xhevahir Geci me emocione si asnjëherë më parë, para te pranishmëve u shpreh që ndjehet mjaft krenar për gjithë veprimtarinë dhe karrierën e tij ushtarake në shërbim të vendit dhe qytetarëve të tij duke filluar që nga UÇK-ja, TMK-ja për të përfunduar me periudhën e fundit të shërbimit në Forcës e Sigurisë së Kosovës “Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, Unë po e lë uniformën por jo dhe vullnetin e gatishmërinë për të qenë pranë jush sa herë të keni nevojë për përvojën time. Pavarësisht se ku do të më dërgojnë valët e jetës, unë me mendje dhe me zemër do të mbetem këtu, te uniforma e ushtria që lindi nga gjaku i dëshmorëve të kombit dhe u rrit nga mundi dhe djersa e secilit nga ju. Uroj që ushtria e jonë të zhvillohet e forcohet për të mbrojtur territorin e vendit tonë, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar krahë me aleatët tanë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë”.
Të pranishëm në këtë ceremoni përveç eprorëve dhe kolegëve nga FSK-ja, ishin edhe kryetarët e komunave: Skenderaj, Drenas dhe Obiliq, drejtori i NALT-it, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si dhe miq e familjar të Gjeneral Gecit.
Gjeneral Geci karrierën e tij ushtarake e filloi si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1991- 1999, ishte anëtarë i Shtabit të Zonës Operative të Drenicës, Komandant i Batalionit të Parë në Brigadën 112 “Arben Haliti”, për ta vazhduar kontributin e tij në Trupat Mbrojtjes të Kosovës dhe për ta përmbyllur karrierën ushtarake si gjeneral brigade në Forcën e Sigurisë së Kosovës. /2LONLINE/