Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli u nda nga Prishtina disa javë pasi nënshkroi kontratën, me arsyetimin për një lëndim në gju që do t’i pamundësonte angazhimin e tij si trajner.
Por, tashmë ka zëra se ai mund të bëhet me një skuadër të re dhe të udhëheq me të në vazhdim të kampionatit.
Drejtuesit e klubit të Vushtrrisë janë në bisedime me trajnerin e njohur kosovar, Bylbyl Sokoli.
‘Profa’ është në bisedime me klubin e Vushtrrisë dhe pas disa ditësh mund të marrë një rol tek klubi i njohur kosovar.
Sipas burimeve, Sokoli ka dy oferta në tavolinë, atë të drejtorit sportiv të skuadrës dhe atë të drejtorit të Akademisë së klubit. Palët kanë qenë në kontakte në ditët e kaluara dhe me shumë mundësi gjatë kësaj jave do të vijë edhe zyrtarizimi i pozitës së Sokolit në klubin e madh kosovar, Vushtrria.
Skuadra e Vushtrrisë nuk ka filluar aspak mirë edicionin e ri në Ipko Superligën e Kosovës dhe tashmë ndryshimet duhet të vijnë pasi gara po fillon të bëhet gjithnjë e më e ‘nxehtë’.
Klubi i Vushtrrisë numëron vetëm pesë pikë pas shtatë xhirove dhe ndodhet në pozitën e parafundit në renditjen tabelare.