Sistemi Nacional për Monitorimin e Spektrit Frekuencor do të mundësojë monitorimin e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale, nxënien e brezeve të caktuara frekuencore në tërë territorin e Kosovës, që njëherësh janë konform obligimeve ndërkombëtare, të cilat i ka vendi ynë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e inaugurimit të Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor – Sistemin SNMS, organizuar në Shipol të Mitrovicës.
Kryeministri theksoi se falë projekteve të zbatuara nga Ministria e Ekonomisë, sot Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë, si dhe është duke i bërë hapat e parë për shtrirjen e rrjeteve mobile 5G. Shtrirja e rrjeteve mobile 5G kërkon monitorim dhe analizim të sofistikuar të brezit frekuencor.
Qeveria e Kosovës që nga fillimi i mandatit të vet e ka përkrahur projektin KODE dhe rrjedhimisht edhe projektin e SNMS-së. Ky projekt është shpallur projekti me qëllim të mbrojtjes nacionale me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më datën 13 prill të vitit 2021.
Infrastruktura digjitale është një nga parakushtet për digjitalizimin që e synojmë në qeveri dhe në ekonomi. Zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve. Prandaj, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të veçantë sigurisë kibernetike, si nga aspekti i politikëbërjes, po ashtu edhe ndërmarrjes së masave konkrete, që i adresojnë rreziqet për sigurinë tonë kibernetike, potencoi kryeministri Kurti.
Javën e kaluar në Qeveri u aprovua projektligji për Siguri Kibernetike, që themelon Agjencinë për Siguri Kibernetike, si institucion kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, që do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike.
Kryeministri tha se me zbatimin e Sistemit Nacional për Monitorimin e spektrit frekuencor, po ndërmarrim një hap konkret, i cili ka implikim direkt në sigurinë kibernetike të vendit tonë.
Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës ju siguroj që do ta mbështes ARKEP-in, KPM-në, Ministrinë e Ekonomisë dhe të gjithë akterët tjerë relevant dhe nuk do të hezitojmë të bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë, që sistemet e tilla të mund të përdoren në mënyrë sa më efikase, shtoi ai.
Kryeministri falënderoi në mënyrë të veçantë Bankën Botërore, për mbështetjen e pa rezervë të institucioneve tona, në këtë rast Ministrisë së Ekonomisë dhe të ARKEP-it në zhvillimin e këtij projekti shumë me rëndësi, por edhe në zhvillimin e Programit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, Programi KODE. Mirënjohje të veçanta i takojnë kompanisë zbatuese të projektit TCI International, që vjen nga shteti mik amerikan, shtoi ai.
Në ceremoninë e inaugurimit të pranishëm ishin edhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përfaqësues të Bankës Botërore, ARKEP-it, Ambasadës dhe kompanisë zbatuese amerikane, si dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave partnere. /2LONLINE/