Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe delegacioni i lartë nga MM dhe FSK, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, u takuan me ushtruesin e detyrës të Ndihmës Sekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Douglas R. Bush.
Në këtë takim u diskutua rreth nevojave të FSK-së për armatime, rëndësisë së përshpejtimit të procedurave të prokurimit të këtyre pajisjeve, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, duke rritur numrin e trajnimeve, shkollimin e oficerëve dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Ministri Mehaj e njoftoi z.Bush dhe për përgatitjet intensive që FSK është duke zhvilluar sa i përket ushtrimit “Defender Europe ’23”, ku FSK do të marrë pjesë me mbi 1300 pjesëtarë dhe ku pritet validimi i një regjimenti të këmbësorisë.
“FSK është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha standardeve të NATO-s në fushën ushtarake, dhe po ashtu është gjithmonë e gatshme të marr pjesë në misione paqeruajtëse dhe humanitare përkrah aleatëve tanë”, theksoi Ministri Mehaj me këtë rast. /2LONLINE/