U mbajt mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë, me theks të veçantë u diskutua mbi punën njëvjeçare të kryetarit Haliti.
Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit. Gjatë këtij takimi janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës. Megjithatë diskutimi më i madh është bërë për Informatën (Raportin) e zyrës së kryetarit të komunës së Vitisë për periudhën Janar-Dhjetor 2020.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti para këshilltarëve të kuvendit komunal ka paraqitur sot informatën mbi punën e një vjeçare për vitin e shkuar.
Me këtë rast ai ka përmendur edhe sfidat që ka kaluar komuna e Vitisë shkaku i gjendjes së pandemisë të shkaktuar në vendin si pasoj e virusit COVID-19.
“Të nderuar këshilltarë, viti 2020 na sfidoi me përhapjen e virusit Sars Cov 2, gjendje kjo që Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli si Pandemi globale Covid 19, pasi që ky virus e përfshiu tërë globin, duke mos e përjashtuar edhe vendin tonë. Rasti i parë me Sars Cov 2, pikërisht u paraqit në komunën tonë me datë 13 Mars 2020, ku edhe prej këtij rasti virusi filloi të përhapet me shpejtësi mjaftë të madhe. Pas rasteve të paraqitura, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, Vitia ishte zonë e karantinuar, ku nga kjo situatë puna jonë në Administratën Komunale ishte mjaft voluminoze, pasi që menjëherë formuan Komitetin Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili përbëhej nga të gjithë akterët relavant të institucioneve komunale, si akterët nga komuna, policia, shërbimi i zjarrfikësve dhe të tjerë” u shpreh Kryetari Haliti duke falënderuar të gjithë atyre që kanë ndihmuar komunën e Vitisë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Gjatë paraqitjes së këtij raporti kryetari Haliti ka folur edhe për punën e zhvilluar në secilën drejtori, sektorë dhe zyre përkatëse.
Megjithatë këshilltarët e kuvendit Komunal nga partitë opozitare kanë paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me punën njëvjeçare të kryetari Haliti për të cilat ky i fundit ka dhënë sqarime.