U.d. ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvëndësministrja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kanë vizituar të enjten Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive (QKMS), e cila funksionon në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Gjatë vizitës shoqëroheshin nga Kryesuesja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Aida Rexhepi me disa nga anëtarët e Bordit dhe u.d. drejtoreshën e përgjithshme të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi.
Drejtori i QKMS-së, Gëzim Murseli, ka njoftuar në lidhje me punën që po bëhet në këtë institucion për kontrolle dhe vizita për sportistët.
Ai tha se kushtet në këtë institucion janë përmirësuar ndjeshëm me daljen në objekt të ri, derisa së fundmi janë furnizuar edhe me aparatura të reja, por nevojiten investime shtesë në aparatura.
U.d. ministrja Gexha- Bunjaku dhe zëvëndësministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, premtuan angazhimin e dy ministrive përkatëse, me qëllim që shërbimet aktuale të avancohen edhe më tutje dhe të krijohen edhe shërbime të reja në dobi të gjithë sportistëve. /2LONLINE/