Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, njëherësh Kryesues i Komisionit Këshillëdhënës për Politikë Ndëshkimore, Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjyqtarin, Burim Ademi dhe përfaqësues të Zyrës së UNDP-së në Kosovë, po qëndrojnë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Delegacioni është njohur gjatë këtyre ditëve nga afër me praktikat amerikane në fushën e drejtësisë, me theks të veçantë për zbatimin e udhëzuesve për politikën ndëshkimore.
Takimet e para janë realizuar në Pensilvania, ku delegacioni është pritur nga Kryesuesi i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, Todd Stephens, i cili, ndër të tjera, ka treguar përfitimet e gjyqësorit amerikan nga zbatimi i obligueshëm i udhëzuesve për politikë ndëshkimore.
Gjithashtu, në kuadër të agjendës, janë zhvilluar takime me interes edhe me Drejtorin Ekzekutiv të Komisionit, Mark Bergstrom, Zëvendësdrejtorin, Matthew Kleiman dhe Profesorin e “Villanova University School of Law“, Steve Chanenson.
Delegacioni ka vizituar edhe Gjykatën e Montgomery-t, ku janë takuar me gjyqtarë dhe kanë ndjekur dy seanca gjyqësore.
Po ashtu, bartësit e sistemit prokurorial dhe gjyqësor do të vazhdojnë takimet e tjera me zyrtarë të SHBA-së lidhur me politikën ndëshkimore.
Kjo vizitë është mundësuar nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, Projekti SAEK III, i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar. /2LONLINE/