U bënë gjashtë vite që kur shkoi në amshim gazetari gjilanas, Xhavit Salihu, i cili ka bërë shumë për gazetarinë kosovare e sidomos për atë radiofonike, duke qenë shumë i afërt me kolegë, i përpiktë në punë dhe shembull për gazetarët tjerë.
Xhavit Salihu, pos si gazetar, ka qenë i njohur edhe si koleksionues i madh i disqeve, kasetave e shiritave të ndryshëm muzikorë, sikurse që ishte edhe një dashamir dhe lexues i pasionuar i librave.
Në gjashtëvjetorin e shkuarjes në amshim, i biri i tij, Arbëreshi, gjithashtu gazetar, ia ka dedikuar një postim përkujtues:
***
Gjashtë vjet pa ty babë, Xhavit Salihu, themeluesi i Radio Star!
Gjashtë vjet pa zërin tënd në Radio, pa fjalët dhe këshillat tua. Gjashtë vjet ndjenjë zbrazëtie, ndjenjë zemërimi.
Mungesa jote ndihet kudo, edhe pse jeta po vazhdon me gëzimet dhe hidhërimet e saj, kujtimet për ty çdo ditë na pushtojnë mendjen.
Çdo ditë jemi krenarë për vlerat njerëzore që kishe. Ne do të ecim tutje ashtu siç ti deshe, ashtu siç ti na mësove, të fortë dhe krenar.
Ti do të mbetesh përgjithmonë udhërrëfyes në rrugëtimit tonë!
11.04.1953 – 12.12.2017
Të rikujtojmë se edhe djali tjetër i gazetarit, Xhavit Salihu, Flakroni, është gazetar, që bashkë me të vëllain Arbëreshin, suksesshëm udhëheqin Radio Star. /2LONLINE/