Mustafa u ka thënë mysafirëve turq se Gjilani, ky qytet i pjesës lindore të Kosovës, është një pikë referuese i më se 500 mijë banorëve, prandaj Qeveria e Kosovës është orientuar që këtu të hap një universitet publik që nga viti i ardhshëm, duke iu dhënë mundësi zhvillimi më të shpejtë edhe regjioneve.
“Kosova dhe komunat e saj kanë bërë përpjekje të krijuar bazën e zhvillimit ekonomik dhe për dhjetë vitet e deritashme, është bërë një përparim i mirë, megjithëse në këtë drejtim, ende mbetet shumë punë për të bërë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka bërë të ditur se komunat, përfshirë edhe Gjilanin, janë në fazën e përcaktimit të zonave industriale, në mënyrë që investitorëve t`iu krijohet infrastruktura dhe kushtet tjera të nevojshme për investime.
Përndryshe, Mustafa e ka mirëpritur vizitën e delegacionit të komunave turke në Gjilan, ku janë identifikuar interesa dhe mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen, duke e ditur që tri komunat e këtij vendi, të cilat ishin pjesë e këtij delegacioni, kanë një traditë të gjatë në prodhimin e tekstilit, këpucëve dhe rrushit.
Ndërsa, Ahmet Bakertash, kryesues i delegacionit, njëherësh kryetar i komunës Jeshiljuva, ka premtuar se do të organizojnë në Turqi, sapo të kthehet, një takim me afaristë të atjeshëm, për t`i nxitur ata që të investojnë në komunën e Gjilanit.
Bakertash ka ofruar gatishmërinë që t`i marrë 10 deri në 15 gjilanas për t`i aftësuar në fabrikën e këpucëve, ofertë kjo që është mirëpritur nga kreu i Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Vizita e delegacionit turk në Gjilan, ka përfunduar me shkëmbimin e dhuratave, të cilat kanë qenë kryesisht prodhime artizanale nga komunat e Turqisë, derisa ata kanë marrë nga komuna e Gjilanit si dhuratë hartën e Kosovës të punuar me gur kristalor./2lonline/