(2L ONLINE) – Një delegacion nga Komuna e Gjilanit, të cilit i prin kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku Rexhepi, po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi, përkatësisht në qytetin Bursa.
Bunjaku Rexhepi, e cila shoqërohet nga disa anëtarë të Kuvendit Komunal të të gjitha partive politike dhe nënkryetari i KF “Drita”, fillimisht ka zhvilluar takime në Bashkinë e Bursas, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të Bashkisë me Kuvendin Komunal në Gjilan, në sfera të ndryshme si: ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë, sport etj.
Kryesuesja Bunjaku Rexhepi e ka falënderuar nënkryetarin e Bursas z. Atila për pritjen dhe vullnetin e treguar për bashkëpunim dhe ndihmë për ta ndihmuar Komunën e Gjilanit për realizimin e disa projekteve me interes për qytetarët e gjilanas.
Kryesuesja dhe anëtarët e Kuvendit Komunal kanë shfaqur interesime të ndryshme rreth punës së institucioneve të Bursas, ku edhe janë njoftuar me mënyrën e zhvillimit të politikave në komunat e Bashkisë së Bursas.
Delegacioni ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e klubit të futbollit “Bursaspor”, Rexhep Bylykbashi, ku kanë marrë premtimin se do të angazhohet dhe do të punoj për ta ndihmuar KF “Drita”, siç është premtuar nga takimet e mëhershme.
Delegacioni nga Gjilani ka kërkuar mbështetje nga z. Bylykbashi, i cili është shqiptar që jeton dhe vepron në Bursa të Turqisë, për ndërtimin e fushës ndihmëse të stadiumit të qytetit etj.
Kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi ka falënderuar kryetarin Bylykbashi për vullnetin e tij që ta ndihmoj sportin gjilanas në të gjitha aspektet. /2L ONLINE/