Prokuroria Themelore në Gjilan organizon tryezë me temë ‘’Roli i organeve kompetente në mbrojtjen e mjedisit, kafshëve, bimëve dhe monumenteve kulturore’’
Prokuroria Themelore në Gjilan, përkatësisht prokurorja Rozelida Manastiri, njëherit edhe koordinatore për veprat penale kundër ambientit, në kuadër të Prokurorisë Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe mbështetje të OSBE-së, ka organizuar tryezë diskutimi me temën ‘’Roli i organeve kompetente në mbrojtjen e mjedisit, kafshëve, bimëve dhe monumenteve kulturore’’.
Gjatë këtij takimi pjesëmarrësit paraqitën arritjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet përkatëse dhe në bazë të diskutimeve u arrit konsensus për themelimin e një mekanizmi bashkëpunues mes institucioneve për luftimin e veprave penale në fushën e mbrojtjes së mjedisit, kafshëve, bimëve dhe objekteve kulturore.
Qëllimi i kësaj tryeze ka qenë koordinimi ndërinstitucional për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e veprave penale që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar krijimin e një mekanizmi efektiv, i cili jo vetëm ndëshkon shkeljet, por edhe promovon mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore. /2LONLINE/