Komiteti për Shëndetësi dhe Grupi parlamentar i Vetëvendosjes mbajti sot tryezën “Gjendja e Shërbimit spitalor dhe klinik universitar – problemet dhe zgjidhjet” me profesionistë shëndetësorë të këtij sektori.
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku Mullhaxha dhe drejtuesi i Komitetit për Shëndetësi Jusuf Ulaj duke e hapur diskutimin folën për problemet e mëdha që ka SHSKU-në dhe nga diskutimi i përbashkët me mjekë e profesionistë e profesorë konkluduan në disa çështje që mund ta adresojnë zgjidhjet për gjendjen alarmante.
Mjekë, farmacistë, dhe profesionistë të tjerë folën mbi gjendjen e rëndë të shëndetësisë në përgjithësi dhe problemet e mëdha me të cilat po ballafaqohet SHSKU-ja prej se ky shërbim ka filluar nga funksionimi. Ata theksuan më së shumti politizimin e vet bordit të këtij institucioni, mungesën e mjeteve elementare për të zhvilluar trajtimin e pacientëve e deri te llogaridhënia minimale. Si pasojë e gjendjes së mjerueshme në të cilën gjendet shëndetësia, Kosova vazhdon të jetë vendi me vdekshmërinë më të madhe dhe jetëgjatësinë më të shkurtër në Evropë. Poashtu u theksua se vetëm 2.6% e GDP-së shkojnë për shëndetësi.
Sipas Komitetit për Shëndetësi dhe Grupit parlamentar i Vetëvendosjes, në tryezë u diskutua edhe për sigurimet shëndetësore që do të duhej të fillonin në janar të vitit 2014 si dhe për rastin skandaloz të spitalit privat brenda ambienteve të SHSKU-së. Gjithashtu u theksua politizimi i Odës së Mjekëve dhe minimizimi i rolit të sistemit informativ shëndetësor nga minisitri aktual si dhe mosgatishmëria në kontinuitet të ministrave të Shëndetësisë për të bërë transparente shpenzimet milionëshe dhe arsyet e zvarritjes së këtij projekti të filluar nga viti 2009.
Nga diskutimet e profesionistëve të shëndetësisë, pjesëmarrës në këtë tryezë, në fund dolën disa konkluzione të cilat Lëvizja Vetëvendosje përmes Komitetit për Shëndetësi, deputetëve të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në komisionin për shëndetësi do t’i paraqesë në vazhdimësi si rrugë për të dalë nga gjendja jashtëzakonisht e keqe në të cilën ndodhet sektori i shëndetësisë.
• Ndryshimi i ligjit për shëndetësi, duke e rishqyrtuar rolin e SHSKU-s dhe zbatimin e ligjit për sigurimet shëndetësore.
• Depolitizimi dhe decentralizimi i shërbimeve shëndetësore
• Përmirësimi i menaxhimit nëpër institucionet shëndetësore, duke e rritur transparencën dhe llogaridhënien
• Planifikimi adekuat për specializimet dhe punësimet nëpër institucionet shëndetësore
• Qartësimi i raportit të Spitalit të Prishtinës dhe QKU-s përmes ndarjes së shërbimeve terciare nga ato sekondare.
• Funksionalizmi i shërbimeve primare
• Si dhe, rregullimi i konfliktit të interesit të sektorëve publik dhe privat për të parandaluar rekrutimin dhe largimin e pacientëve nga spitalet publike duke i çuar në ato private.
Në këtë kuadër Grupi parlamentar do t’i ngrejë këto çështje në Kuvendin e Kosovës dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria për secilën prej temave të adresuara.