Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, sot ka mbajtur tryezë me temën “ Fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetja institucionale”. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të organizatave që trajtojnë këta fëmijë, ndërsa u fol për problemet dhe sfidat me të cilat ata ballafaqohen tash e një kohë, cdo ditë të punës së tyre.
Pjesë e panelit ishin Fatmir Shurdhani nga Handikos, Arbresha Berisha-doktoreshë, Shpend Nuhiu-psikolog dhe Arijeta Rexhepi-asambleiste.
Fatmir Shurdhani tha se në komunën e Gjilanit janë 219 fëmijë me aftësi të kufizuara, ku 52 prej tyre trajtohen në qendrën e Handikos-it. Nga ky numër i fëmijëve, 43 vijojnë shkollimin, 12 janë në klasën e parë, ndërsa 31 prej tyre kanë kaluar nga klasët e bashkangjitura në klasë të rregullta.
“Ajo që na shqetëson është fakti se 21 fëmijë do të duhej të ishin të kycur në shkollim, por nuk janë. Handikos punon me grupmoshat deri në 14 vjetë, ndërsa gjatë ditës ofron shërbime që i plotësojne deri diku nevojat ditore të këtyre fëmijëve. Nuk e kemi aspak të lehtë, sepse jemi organizatë që kemi shpenzime, por që nuk gjenerojmë të ardhura. Prandaj, edhe buxheti ynë këtë vit është zvogëluar dukshëm nga viti i kaluar, por pavarësisht sfidës dhe mungesës së përkrahjes institucionale, ne do të bëjmë të pamundurën që shërbimet tona të mos ndalen. Së fundi kemi sjellë logopedin në qendrën tonë, që po bënë një punë të madhe me fëmijët që kanë nevojë për të. Aktualisht 13 prej këtyre fëmijëve po përfitojnë nga ky shërbim i ri”, ka thënë Shurdhani.
Tutje ai ka thënë se objektit të qendrës Handikos i mungon ngrohja dhe me këtë problem ballafaqohen gjatë gjithë muajve të dimrit, ndërsa ka thënë se pavarësisht premtimitt që kanë marrë nga nënkryetari i komunës se kjo do të zgjidhet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Doktoresha dhe anëtarja e komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje Arbresha Berisha, ka thënë se në aspektin e shëndetësisë ka pengesa të konsiderueshme.
“Po përballemi me mungesën e terapisë dhe mjeteve ortopedike si dhe kemi mungesë të stafit të mjekëve dhe infermierëve për ofrimin e kujdesit shtëpiak. Patronazha e cila dikur ka funksionuar, tash nuk po funksionon më dhe kjo po paraqet mjaft pengesa në ofrimin e shërbimeve adekuate për këta fëmijë. Kanë nisur disa trajnime për kujdesin e nënave dhe fëmijëve në kushte shtëpiake, por nuk e di për cfarë arsye janë ndërprerë ato. Mendojë që kemi nevojë për një edukim më të madh mjekësor me qytetarët në mënyrë që qasja e trajtimit shtëpiak të jetë më e lehtë. Pak a shumë këto shërbime i marrin fëmijët që jetojnë brenda qytetit, ndërsa ata që jetojnë në fshatra janë thuajse të anashkaluar plotësisht”, ka thënë Berisha.
Ndërsa, Shpend Nuhiu, ka dhënë konludimet e tij nga ana e psikologut, duke thënë që nëse do të investohej më shumë në këtë drejtim, kushtet do të ishin shumë më premtuese se kaq.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit në Kosovë janë diku rreth 10% të personave me aftësi të kufizuara. Nëse komuna do të ndante vetëm 10% të buxhetit për këta fëmijë, kushtet dhe shërbimet që ata kanë nevojë ti marrin, do të përmirësoheshin dukshëm. Por, institucionet tona i orientojnë fondet e tyre në struktura me karakter zbavitës, në vend që të investojë në dicka kaq bazike sa është mirëqenia e fëmijëve tanë, e në vecanti atyre që kanë nevojë për përkujdes të vecantë”, ka thënë Nuhiu.
Në diskutimet e hapura janë përfshirë edhe të pranishmit duke diskutuar për cështje relevante që ndërlidheshin me temën, ndërsa në mesin e diskutimeve ishte edhe ai i Kujtim Kosumit, i cili tha se programi për përfshirje në nivel lokal duhet të ofrojë mbështetje më të madhe për ofrimin e shërbimeve. Ai tutje tha se komuna duhet të bashkëpunojë me organizatat lokale që kryejnë këto aktivitete , sepse qëllimi i komunës duhet të jetë në drejtim të rritjes së vetëdijes në përgjithësi.
Në fund të tryezës, u nxorrën rekomandime konkrete, për të cilat Lëvizja Vetëvendosje! morri përsipër ti përcjellë ato deri aty ku ato rekomandime mund të gjejnë zbatimin e duhur dhe ti sjellin përfitimet e merituara për fëmijët me nevoja të vecanta dhe aftësi të kufizuara.