(2L ONLINE) – Është organizuar sot një tryezë nga Sektori i Rinisë së Drejtorisë së Kulturës, Këshilli Komunal i Veprimit për parandalimin e dukurive negative dhe Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Viti, me rastin 10 shtatorit ditës ndërkombëtare për parandalimin e vetëvrasjeve, si një fenomen dhe dukuri shqetësuese në komunën e Vitisë. Sipas folësve në këtë tryezë, rastet e vetëvrasjeve dhe ato të tentim vrasjeve, janë më të theksuar gjatë dy viteve të fundit në komunën e Vitisë.
Zv. Kryetarin i komunës së Vitisë Hasan Aliu, në hapjen e këtij takimi tha se kjo dukuri është shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë dhe kërkon një tretman të veçantë që identifikon problemet dhe një angazhim që të shqyrtohen gjitha mundësit që e parandalojnë vetëvrasjen në komunën e Vitisë.
Aliu përmendi shembullin e dhjetëra viteve të mëhershme kur shkalla e vetëvrasjeve në Kosovë ka qenë më e ultë jo vetëm në rajon dhe për këtë ka kërkuar që të hulumtohen shkaqet që do të ndikonin që të mos ketë raste të tilla të vetëvrasjeve.
Dr.Xhylsime Qamili potencoi se në bazë të statistikave, vetëm në vitin 2013 janë shënuar 4 raste të vetëvrasjeve, prej tyre 3 meshkuj dhe 1 femër, kurse për këtë periudhë të viti 2014 janë regjistruar 2 raste.
Ajo thekson se shkaqet eventuale që qojnë në vetëvrasje janë çështjet sociale, depresioni, sëmundje të ndryshme, lojërat e fatit, problemet psikologjike etj. Nga ana tjetër përfaqësues të policisë së Kosovës, duke ju referuar statistikave, konfirmojnë se gjatë vitit 2014 kanë ndodhur 2 vetëvrasje, ndërkaq janë të regjistruara 7 tentim vrasje.
Në Qendrën për Punë Sociale, thonë se kjo qendër mundohet të ofroj ndihmë përmes këshillave të ndryshme dhe të intervenoj tek ato raste që lajmërohen tek ata.
Se vetëvrasja është një dukuri që e ndalon edhe feja, e argumenton kryetari I bashkësisë Islame në Viti Hysamedin Hoxha, I cili shprehet se në bazë të ajeteve kuranore, vetëvrasja është akt I ndaluar rreptësishtë nga një besimtar, pasi që për çdo problem eventual që mund ta ketë njeriu, ekziston zgjidhja dhe në këtë drejtim mund të gjendet zgjidhje edhe për problematikën që e shtyn personin të ndërmarrë vendimin e vetëvrasjes.
Sociologu Basri Ramizi, trendin e vetëvrasjeve në komunën e Vitisë gjatë dy viteve të fundit e sheh si mjaft shqetësuese dhe kërkon një angazhim dhe përkushtim më të madh institucional dhe shkollor, që të ndikojnë në parandalimin e kësaj dukurie.
Ndërsa Shqipe Rexhepi psikologe tha se prej vitit 2012 e deri më tani kemi pasur 2 raste të tentim vrasjeve të gjinisë femërore. Kurse Luljeta Ajeti profesoreshë në Shkollën e Mesme Teknike, ka kërkuar që të angazhohen psikolog nëpër shkolla që do të ndikonte pozitivisht në tejkalimin e problemeve që mund të shfaqen tek nxënësit.
Në pjesën e dytë të kësaj tryeze, nxënësit parashtruan pyetje për interesimet e tyre rreth kësaj dukurie. /2L ONLINE/