Një hetim për shpërthimin në lokalin “Sekiraça” në Dardani ka çuar hetuesit në zyrën e Fatmir Limajt në Ministri të Transporteve.
Përgjimet telefonike i kishte kryer Policia e UNMIK-ut qysh në vitin 2008 kundër Ali Aliut, një i dyshuar për përfshirje në këtë shpërthim, që kishte lënë dy të vdekur e 11 të plagosur.
Aso kohe Aliu ishte zbuluar se po komunikonte me truprojën e Fatmir Limajt, Shpëtim Telaku, për tenderë që jepte kjo ministri.
“Koha Ditore” ka siguruar aktakuzën e dytë për korrupsion kundër ish-ministrit Limaj. Ai akuzohet së bashku me shefin e prokurimit, Nexhat Krasniqi, dhe Shpëtim Telakun për krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratës së dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit.
Ali Aliu dhe Beqir Deda, përfaqësues kompanish, akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe dhënie të ryshfetit. /Koha Ditore/