Tri rregullore komunale: rregullorja për taksa komunale, rregullorja për bursa dhe rregullorja për menaxhimin e pasurisë jo financiare të Komunës, i janë nënshtruar sot një dëgjimi publik, ku qytetarët e Gjilanit i kanë paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, përpara se këto akte të procedohen për miratim në Kuvend.
Fillimisht, në emër të komisionit prej 5 anëtarësh, draft-rregulloret i ka paraqitur Bardhyl Syla, drejtor i Administratës, i cili ka thënë se te rregullorja e parë, janë dy plotësime dhe njëri ka të bëjë lejen e varrimit, ndërsa tjetri me lëshimin e ekstraktit të parë të lindjes së fëmijës, shërbime këto që jepen pa pagesë nga administrata.
Sa i përket draft- rregullores për taksa komunale, ndryshime ka edhe te Shërbimet Publike, te Kultura, Rinia dhe Sporti dhe ka të bëjë me shfrytëzimin e librit nga biblioteka, përkatësisht me vonesën, dëmtimin ose moskthimin e librit, ku parashihet një gjobë si dhe te sektorë të tjerë.
Rregullorja e dytë ka të bëjë me bursat dhe siç tha Syla, një rregullore e tillë që i precizon gjerat ka munguar deri tani. Sipas këtij akti, që ka të bëjë me bursat për studime themelore, është se parasheh shpalljen e listës preliminare të fituesve si dhe pas ankesave, të listës përfundimtare.
Ndërkaq, drafti tjetër rregullon çështjen e nxjerrjes nga përdorimi të inventarit, përkatësisht grumbullimin, deponimin dhe pastaj dhurimin, shitjen ose asgjësimin e tij, sipas vlerësimit të një komisioni.
Shkaku i mungesës së një rregulloreje të tillë, deri tani kemi pasur probleme me inventarin e vjetër, ka thënë Syla.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se rregullorja për bursa, është një prej akteve më të rëndësishme që ka nxjerrë Kuvendi Komunal i Gjilanit, meqë e rregullon këtë segment pa pasur nevojë për kritere e komisione për çdo vit dhe është shprehur e bindur se edhe vendimmarrësit komunalë do ta mbështesin atë.
Ndërsa sa i përket gjobës për vonesat, dëmtimin ose moskthimin e librit, ajo ka thënë se në pamje të parë mund të duket absurd, por kjo është e domosdoshme për të ndërgjegjësuar lexuesin, i cili nuk e kthen librin dhe kësisoj varfërohet fondi i bibliotekës.
Në dëgjim publik, ku pjesëmarrja ka qenë e vogël, kanë kontribuar me sugjerime, vërejtje e propozime Habib Mahmuti, Avdyl Aliu, Fitim Guda, Islam Hyseni dhe të tjerë. /2LONLINE.com/