(2L ONLINE) – Ishim nisur për te “Trekëndëshi poetik i paqes”, te Dunav‘t, shumë pranë tre kufirit me vetveten! Do të mbahej Manifestim Rajonal i Poezisë. Që në fillim Dua të them se sipas mendimit tim personal nuk më pëlqeu pasuesi “… i Paqes”. Do me thënë “Trekëndëshit Poetik” po mundohej t’i jepej një konotacion tjetër shtesë, përveç atij letrar poetik.
Për mendimin tim stereotip! Paqësor!? Po, po pse, kujt do t’i bënim ne hygjym (turqizëm, që përdoret edhe te ne shumê) me poezitë tona? Në fund të fundit, a nuk ishin njerëz tanë edhe ata që ishin matanë atij dy kufiri jo të dëshiruar? Apo, është edhe kjo pjesë e mentalitetit tonë, pak servil dhe inferior ndaj të tjerëve të krijuar ndër vite se çka do që bëjmë duhet të tregojmë se ne nuk kemi as më të voglin pretendim për asgjë tjetër përveç paqes. E, edhe kur shkruajmë dhe deklamojmë poezinë tonë!!!
Po jo bre se, me thanë popullorçe, nuk ja nin poezisë e as ndjenjës qe nxjerrët në letër, as për paqe e as për me nxitë luftë. Kjo princeshë e letërsisë siç e quajti dikush poezinë është bukuri fjalësh që njeriut i vlojnë brenda dhe duke mos u brengosur shumë se çka nxisin ato i nxjerr jashtë në formë artistike. Nëse e ka atë talent, kuptohet!
Te restauranti, i cili është ndërtuar në luginë përrallore te Dunav’t, pran rrugës që qon drejt Maqedonisë, që është investim i qëlluar, me shpresë se do hapet vendkalim kufitar, erdhën poet e jo poet, dashamirë të poezisë dhe të tillë që s’kishin haber për të, por që u pëlqen të jenë në rreth intelektual dhe edhe prej atij soji që sorollateshin dhe mundoheshin të tregoheshin që janë njerëz të rëndësishëm, si puna e atyre rojeve të UNMIK doherë, nëse i mba mend akoma ndokush!
Tupani, surle si dhe shatori ku na servuan dreken, aty ku edhe poetet lexuan poezitë e tyre, më shumë të lenin përshtypjen e një dasme se sa një evenimenti poetik! Mua dhe kolegut përshtypjen poetike na e forcoi zhurma e ëmbël natyrore e lumit të vogël që rridhte fare pranë nesh. E na prishi, e një qeni të vogël që ishte lidhur dhe mbahej pranë tëndes e i cili shpesh interferonte me “poezinë”e tije dhe tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve E besa, kishte edhe të tillë që më shumë pëlqenin qenin dhe “poezinë” e tij se sa manifestimin, sa që shkonin pran tij dhe luanin me të.
Mua, personalisht më pëlqyen fare pak nga krijimet që u lexuan. Besa kishte edhe poezi të tilla si ajo që fliste për çajin e rusit dhe serialet dhe raportet mes gruas dhe burrit sot te ne, që gjoja ishin relaksuese e na bënin të qeshnim. Në fakt ishin neveritëse poezi të tilla. Ajo që më pëlqeu në veçanti ishte poezia e një poeti nga Shqipëria, ndonëse në fakt të linte përshtypjen se akoma nuk ishte esëll nga hera e fundit që kishte pirë. Sido që të ishte, poezinë e kishte të mirë.
Në fund të fundit, janë për t’u lavdëruar iniciativa si e tillë, që të kemi ngjarje të tilla kulturore e që vijnë si ide nga personalitete të ndryshme. E me sa mora vesh, kyç për themelet e këtij manifestimi ishin Sabit Rrustemi e Ramadan Mehmeti, e ndonjë tjetër, që të më ndjejë nëse nuk po përmendi ndonjë tjetër emër, për të cilin unë nuk e di, si dhe të rëndësishëm janë edhe përkrahësit institucional.
Do të thotë, është krijuar mundësia për njerëzit që duan dhe kanë dëshirë të dëgjojnë dhe krijojnë art! E, besoj se me kohë gjërat e marrin drejtimin e duhur të saj, se për çfarë është e destinuar të jetë.
/Xhelil ARIFI / 2L ONLINE/