Para tre viteve, më 20 janar 2013, xhandarmëria e Serbisë hoqi lapidarin me emrat e 27 dëshmorëve të UÇPMB-së, që ishte i vendosur para ndërtesës së komunës në Preshevë.
Së paku 200 pjesëtarë të forcave serbe të sigurisë kishin rrethuar qytetin e Preshevës dhe në një mëngjes të ftohtë rreth orës 07:00h nën përcjellje të mediave të shumta, kishin hequr lapidarin, shkruan Titulli.com.
Lapidarin e kishte vendosur kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në prani në veteranëve të luftës së UÇPMB-së, për nder të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
Por, vëmendjen e opinionit, në veçanti të organeve shtetërore të Serbisë, lapidari tërhoqi me rastin e vizitës së Edi Ramës dhe Pandeli Majkos në Preshevë, kur ata bënë nderime para lapidarit.
Kriza filloi kur shteti filloi me presionin dhe kërcënimet për të hequr lapidarin edhe me forcë duke e konsideruar vendosjen e tij si provokim, e kryeministri dhe ministri i brendshëm i Serbisë në atë kohë, Ivica Daçiq, deklaronte se lapidari do të hiqet me qejf apo me dhunë, transmeton Titulli.com.
Këto ditë Lugina e Preshevës ishte në fokus të mediave lokale, rajonale e ndërkombëtare, pasi para heqjes së lapidarit, rreth dy muaj ishin mbajtur negociata e takime të gjata për zgjidhjen e kësaj çështje.
Gjatë kësaj kohe, disa përfaqësues politik shqiptar si Jonuz Musliu deklaronin që “nuk mund askush të heq lapidarin”, kurse kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa kishte deklaruar se “në rast se hiqet lapidari, unë do të jap dorëheqje”, transmeton Titulli.com.
Megjithatë, lapidari u hoq, politikanët shqiptarë nuk mundën ta mbronin, kryetari i Preshevës nuk dha dorëheqje, dhe deri më tani nuk kemi asnjë përpjekje për kthimin e tij.
Lapidari pas heqjes ishte dërguar në një depo për mallin e sekuestruar nga Ministria e drejtësisë në Nish, ndërsa aktualisht nuk dihet nëse akoma gjendet atje apo jo.
Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesit politik shqiptar kundërshtuan qeverinë e Serbisë, ndërsa zyrtarët serb deklaronin se nuk ka lojë me shtetin.
Një dobi nga kriza e lapidarit shqiptarët e Luginës së Preshevës patën mundësi të kishin kur filluan bisedimet me qeverinë serbe rreth planit të ashtuquajtur “shtatë pikësh”, por edhe këto bisedime shumë shpejtë u ndërprenë pa rezultate konkrete në terren.
VIDEO: Titulli