Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sonte ka njoftuar se në Komunën e Kamenicës janë ritestuar tre persona të cilët kanë rezultuar negativ.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati lajmin për ritestimin e tre personave që rezultuan negativ e ka cilësuar si një lajm të mirë për Kamenicën, dhe se ditë të mira na presin të gjithëve.
“Nga raportet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kemi pranuar rezultatet e ritestimit të tre personave të infektuar me sëmundjen COVID-19 dhe fatmirësisht kanë rezultuar negativ. Gjithsesi, për siguri do t’i nënshtrohen edhe një testi të dytë. Duroni edhe pak se ditë të mira na presin”, ka thënë Kastrati.
Kastrati gjithashtu tha se rezultatet e 40 mostrave të marra sot, do t’i kuptojmë nesër për të cilat shpresojmë se do jenë negativ.
Deri më sot në Komunën e Kamenicës janë të infektuar me COVID-19 gjithsej 34 persona, dhe tre prej tyre janë shëruar.