Qeveria e Kosovës ka arritur të heqë nga vetja presionin për vizitat e zyrtarëve të shtetit serb. Tre ministra kosovarë i janë drejtuar Zyrës së BE-së në Prishtinë duke i kërkuar miratimin e Beogradit që gjatë këtij muaji të qëndrojnë ndarazi në Luginën e Preshevës.
Kërkesa ka bërë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ai i financave Besim Beqaj si dhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani. Derisa ministrja Çitaku sipas burimeve të gazetës do të marrë pjesë atje në disa debate për integrimet evropiane, ministri Beqaj do t`u shpjegojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr taksën e sigurimit për shqiptarët nga Lugina. Kurse ministri Agani do të interesohet për shëndetësinë, shkruan gazeta tribuna.
Ministrja e Integrimeve ka konfirmuar shkurt për gazetën “Tribuna” se ka bërë kërkesë për vizitë. “Po, dua të vizitoj Luginën”, ka thënë Çitaku. Burime të gazetës kanë shpjeguar se nëse Beogradi refuzon vizitat e ministrave kosovarë, atëherë Qeveria e Kosovës nuk do të pranoj asnjë vizitë të ndonjë zyrtari serb gjatë kohës së fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit.