KF Vushtrria ka humbur sot tri pikë, në përballje me Dritën ndeshje kjo që u fitua në fund nga mysafirët, pas golit të tretë, 2:3.
Vushtrriasit kanë pësuar edhe disfatën e dytë në stinorin pranveror të kampionatit, por për dallim nga dueli i kaluar ndaj Prishtinës, me ç’rast kishin humbur 4-0, këtë herë pësuan 3-2 në shtëpi nga Drita.
Pikërisht, fitorja e mysafirëve po kontestohet nga kryetrajneri i vushtrriasve, Fitim Llapashticës, pasi që beson se skuadra e tij ishte më e mirë në këtë përballje dhe se gjyqtarët e ndeshjes nuk u treguan të drejtë me ta.
“Paraqitja e ndeshjes së sotme për dallim nga dy ndeshjet e kaluara ishte si nata me ditën. Sot, futbollistët tanë i dhanë leksion futbolli skuadrës së Dritës. Edhe pse jemi në fund të tabelës gjyqtarët duhet të na gjykojnë drejt, sidomos kur kemi të bëjmë me gjyqtarë të FIFA-s. Ne nuk e meritojmë këtë, gjyqtarët duhet të jenë korrekt, nuk ka rëndësi se a janë futbollistë të Dritës, apo cilës skuadrës. Djersa jonë sot u hodh poshtë nga gjyqtarët e ndeshjes”, deklaroi Llapshtica për “Super Sport Kosova”.
“Ne kemi bërë një mrekulli. Nuk jemi shumë të komponuar dhe bëmë një paraqitje dinjitoze. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të dorëzohemi deri në atomin e fundit dhe ndeshjen e fundit”, përfundoi Fitim Llapshtica.
Vushtrria mbetet në pozitën e 11-të me 15 pikë të tubuara.