Në mes të akuzave e të pakënaqësive të mëdha nga disa klube për nivelin e referimit në Kosovë, së fundmi është bërë e ditur se Kosova ka aplikuar në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian UEFA për teknologjinë VAR (Video Assistant Referee).
Gjatë javëve të fundit klubet, si: Feronikeli, Ballkani dhe Llapi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për nivelin e referimit në futbollit elitar në Kosovë.
Implementimi i teknologjisë VAR shihet si mundësi e mirë për t’i përmirësuar gabimet eventuale të gjyqtarëve gjatë ndeshjeve dhe një gjë e tillë do të ulte presionin e krijuar gjatë kësaj kohe mbi gjyqtarët.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se teknologjia e VAR-it i pëlqen mjaft shumë dhe ky sistem jep garanci për investitorët në futbollin e Kosovës.
“Më pëlqen sistemi VAR dhe do të ishte ideal. Ky sistem jep siguri te të gjithë, duke filluar nga presidentët, të cilët bëjnë investime. Ne si trajnerë do të jemi më të qetë, ashtu si edhe tifozët dhe lojtarët”, ka thënë trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Tutje Nuhiu mendon se ky sistem do t’i ndihmonte tej mase edhe gjyqtarët kosovarë, derisa shton se tani për tani do të jetë e vështirë implementimi i VAR-it në Kosovë.
“Gjithashtu mendoj se edhe për gjyqtarët do të jetë një ndihmë e madhe. Sistemi VAR kushton shumë dhe më duket e vështirë që tani të vijë në Kosovë, në Maqedoni të Veriut ose në Shqipëri”, vlerësoi Ardian Nuhiu.