Ni kamerë përpëlitëse e tregon ni shqetësim të brendshëm tanë kohën. Albani ka telashe me moshatarë. E ka ni zemëratë të papërmbajtshme brenda. Zana, sado që mundohet me harru të kalumën, tu punu në ni ambient të bukur me lule, ajo e ndjek.
Stigmatizimi për shkak të dhunimit, pa faj, është bo temë e përsëritun. Gjithsesi, filmi është bombë kulturore e adresuar serbëve që kanë bërë keq në Kosovë. Sigurisht do të ketë anti-propagandë nga llobi i tyre për këtë film që do ta përfaqësojë Kosovën në Oskar.
Filmi ka muzikë pak. Heshtje pothujse tanë kohën. Sidomos nga Albani që s’flet shqip thujse hiç. Po as holandisht jo që flet shumë. Ai është pa identitet. Detyrohet, bashkë me të dashurën e vet — që rëndom nuk iu paraqitet djemve, e këtij i paraqitet (sepse mbase “e ngreh gjaku i vet” do të thoshte populli) — të përcaktohen për identitetin holandez, atë neutralin, të largëtin, sepse këtu kah Ballkani ka konflikte të çmendurish për shkak të identitetit, këtij burimi të kaq shumë konflikteve të njerëzimit.
Krejt ajo heshtje, ato pikëpyetje që ngriten në moralin e shikuesit, zbrazen në 5 minutat e traumës së rijetuar të Zanës. Serbët e këqinj e kanë dhunuar popullin e pafajshëm shqiptar të Kosovës: psikikisht e fizikisht. Dhunimi seksual është vetëm një simbolikë e kësaj—penetrim i dhunshëm në qenie. Dhe për këtë nuk është vënë drejtësi morale ende, as era nuk po i vjen fillim madje. Kjo do të rrijë si re e zezë mbi Serbi e Kosovë deri kur të ngriten të dy vetëdijet kolektive: serbët se nuk ka kurrfarë “superioriteti” apo “hyjnoriteti” te ta, dhe shqiptarët se nuk ka kurrfarë “inferioriteti” te ta.
Kontrasti i madh ndërmjet qetësisë, veprimeve pa shpjegime gjatë tërë filmit, dhe ripërjetimit të traumave të dhunimit nga Zana, e arrin efektin e vet te shikuesi. Mesazh i qartë për të gjithë ata që duan të kuptojnë. Ni padrejtësi e madhe ka ndodhë në Kosovë. Dhe atë padrejtësi nuk e shuan dashuria, sado e madhe, përtej dallimeve kombëtare apo çfarëdoqofshin ato. Nevojitet dozë shumë, shumë më e madhe. Prandaj Albani i kthehet jetës së vet të dhunshme e konfliktuoze. Zemërata nuk mundet “thjesht të harrohet” siç e këshillon Zanën një grua e vjetër e mirë holandeze, nga pikëpamja neutrale e një njeriu të painformuar.
/Ridvan Bunjaku/