Instituti i Rajoneve Evropiane (IRE) në Austri, në sallën evropiane në Salzburg, nga 27 deri më 29 shtator të këtij viti do të mbajë konferencën e 11-të të Rajoneve Evropiane dhe Qyteteve.
“Strategjitë e mbijetesës për Rajonet dhe Qytetet në Evropë” thirret konferenca e organizuar nga Instituti i Rajoneve Evropiane në të cilën do të përfaqësohet edhe portali informativ Titulli.com.
Në këtë organizim me fjalimin e tij do të paraqitet Franz Schausberger-kryetar i institutit të Rajoneve të Evropës, ish guvernator i landit të Salzburgut dhe Jörg Wojahn-shefi i përfaqësisë së Komisionit Evropian në Vjenë të Austrisë.
Përndryshe, pjesë e kësaj konference ku do të diskutohet mbi zhvillimet e fundit “Vala e refugjatëve në Evropë”, panelistë do të jenë edhe pjesëmarrësit e tjerë nga vendet e Evropës.
Veç kësaj, sipas agjendës së paraparë, një panel do të mbahet edhe me temën “Hulumtimet rajonale dhe projektet inovative si strategji për punësim inteligjent”.
Kjo konferencë organizohet nën patronatin e Presidentit të Republikës Federale të Austrisë, Prof. Dr. Heinz Fischer, i cili pjesëmarrësit në këtë organizim do t’i pranojë me një pritje tradicionale.
Portali informativ Titulli.com në këtë konferencë do të jetë sponsor medial dhe mediumi i vetëm pjesëmarrës nga Lugina.
Konferenca “Strategjitë e mbijetesës për Rajonet dhe Qytetet në Evropë”, do të hapë tema diskutimi aktuale për BE-në.
Tashmë nga Qendra për Zhvillimin e Mediave Lokale dhe të Pakicave (QZHMLP) në Serbi, pjesë e së cilës është edhe portali informativ Titulli, do të delegojnë gazetarin dhe fotoreporterin për të përfaqësuar këtë rrjet të mediumeve të pavarura në konferencën e Salzburgut.
Përveç Titullit në këtë konferencë do të përfaqësohen edhe mediat tjera të rrjetit për Zhvillim të Mediave Lokale dhe Pakicave në Serbi, siç janë ato hungareze, rumune, sllovake e ruse.