Serbia vazhdonte programin e saj për dëbimin e shqiptarëve “duke i dëbuar banorët shqiptarë në jug të Jagodinës”- këtë e kujtonte Vasa Çubrilloviq, etapat e ndryshme për të theksuar edhe më fort se sa keq kishin ngecur kolonizimet në kohën e tij. Pas vitit 1878, Serbia “shkeli një copë tjetër të atij rajoni” duke aneksuar krahinën e Nishit.
Shkruan: Sami ARIFI
Pasi shqiptarët ishin përzënë me “rrënjë e me degë” nga fshatrat e luginës së Toplicës, përreth Prokuplës, si edhe nga sektori i Koshanicës, në jugperëndim të Nishit, u sollën kolon nga krahinat e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi.
Ata erdhën dhe e populluan këtë rajon që dikur quhej Arnautlluk “vend i shqiptarëve” dhe ishte “famëkeq”. Pra, ata i dhanë Serbisë regjimentin e saj më të mirë, gjatë luftërave të viteve1912-1918. Çubrilloviqi thoshte: “Ja pra tradita të cilës duhet t’i kthehemi përsëri: le t’i dëbojmë në masë shqiptarët dhe t’i ripopullojmë tokat e tyre me fshatarë të fortë serbë, bijtë e të cilëve do të behën nesër ushtarë anë më sypatrembur!
Kolonizimi mund të ketë sukses vetëm në rast se “veprojmë me egërsi, përndryshe vendasi ku jeton në dheun ku ka lindur dhe që është i përshtatur aty del gjithnjë më i fort se koloni. Në rastin tonë, ky parim duhet pasur edhe më fort parasysh, ngaqë kemi të bëjmë me një racë të ashpër, të ngulitur mirë, të qëndrueshme e pjellore, për të cilën i ndjeri Cvijiç thoshte se ishte më ekspansivja në Ballkan”. Vasa Çubrilloviq, autori i memorandumit të vitit 1937-1938, për shpërnguljen e shqiptarëve, pas Luftës së Dytë Botërore, u bë një mbrojtës i idesë “jugosllave”, madje një nga ata që e sulmonin nacionalizmin.
Megjithatë, kur u hartua, ai memorandum përfaqësonte një gjendje botëkuptimore mjaft të përhapur. Presidenti i Jugosllavisë Tito, emëroi Vasa Çubrilloviqin ministër të bujqësisë, kinse kritikoi, Çubrilloviqi, pas lufte nacionalizmin serb, kjo nuk nënkupton medoemos ndonjë ndryshim të tij në mendësi.
Vasa Çubrilloviqi, tepër i moshuar 1980, nuk pati kohë “ta kopsiste”, këtë të tjerët më të rinj, e bënë atë në vend të tij, pra, vazhdimin e Konventës jugosllavo-turke të vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, përmes marrëveshjes së ashtuquajtur marrëveshja “Xhentëllmente” e shpërnguljes shqiptarëve për në Turqi në vitin 1953, që ishte nënshkruar në Split në mes ministrit të punëve të jashtme të Turqisë Fuad Kypril, dhe presidentit të RSFJ Josip Broz Titos, që vazhdoi presioni ndaj shqiptarëve, në forma nga më të ndryshmet, deri te shpërbërja e plot e Jugosllavisë.
Vasa Çubrilloviqi ishte projektuesi më famëkeq për shfarosjen e shqiptarëve në Jugosllavi!
Një ndër anëtarët më famëkeq dhe më i shquar që bëri ogurzinë ndaj shqiptarëve në klubin serb “Klubi Kulturor Serb në Beograd” ishte Vasa Çubrilloviq, një ish-anëtar i “Mllada Bosna-s”, një grupi terrorist të rinj, që e kishin përgatitur atentatin kundër arkidukës Franc Ferdinant, më 1914; tashmë ai në Universitetin e Beogradit ishte një historian shumë i nderuar. Ky punim i tij i formës së gjatë ishte përmes kontributit të tij politik, që ai në vitin 1937 ia paraqiti qeverisë së Mbretërisë jugosllave.
Duke parë mungesat e programit të kolonizimit, ai në mes të tjerash shkruante: “Në qoftë se supozojmë se zhvendosja graduale e shqiptarëve në kolonizimin tonë të vazhdueshëm është jo efikase, atëherë ne na mbetet vetëm një rrugëdalje-që t’i shpërngulim ata në masa të mëdha”.
Në Kosovë nacionalizmi serb i UDB-së shfaqej haptazi e pa dorëza. Kundër kulturës dhe intelektualëve shqiptarë, fushata kishte filluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pra në emër të “qërimit të hesapeve me reaksionarë, kuisling dhe kulakë”, gjyqet revolucionare, pa asnjë proces bënin likuidimin e elitave shoqërore dhe atyre intelektuale, pra përmasat e ashpra fillojnë aty nga viti 1949 dhe vazhduan pa ndërpre deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, por që të veçuara ishin ato deri në vitet e 60-ta.
Sapo ishte shuar lëvizja e rezistencës në Drenicë dhe në pjesë tjera të Kosovës, vazhdon aksioni për mbledhjen e armëve edhe më tutje me pretekst “të vazhdimësisë së veprimtarisë armiqësore”, por që kulmin e arriti në dimrin e vitit 1955-1956.
Pushteti i Titos mbështetej nga OZNA e ashtuquajtur “Zyra e Mbrojtjes së Popullit”, që domethënë te policia politike e partizanëve, e cila, pas lufte, u bë UDBA e ashtuquajtur “Administrata e Sigurimit të Shtetit”. Ajo drejtohej nga Aleksandër Rankoviqi, i cili ishte caktuar në këtë funksion nga presidenti Tito.
Tito duke parë se po bëhej grumbullimi i pushtetit në duart e shefit të policisë sekrete, shihte se Aleksandër Rankoviqi synonte të garantonte pozitën e tij si pasardhës i tij i padiskutueshëm, prandaj ai (Rankoviqi) pagoi çmimin që kishte guxuar ta cenonte këtë privilegj.
Me 1 korrik të vitit 1966 u thirr një mbledhje e Komitetit Qendror, e cila edhe sot në ish-Jugosllavi përmendet me emrin Plenumi i Katërt. Në këtë mbledhje komisioni nxori në shesh mbretërinë e fshehtë të Rankoviqit. Ky organ ishte KOS-i, shërbimi ushtarak i zbulimit i vetmi rival serioz i UDB-së, i cili qëlloi të drejtohej nga një kroat.
Tito, për të mbajtur pushtetin në duart e veta, që rrezikohej aq shumë nga udhëheqësit serb, ofroi mundësinë e një kompromisi historik ndërmjet kombeve (kroatëve, serbëve, sllovenëve, maqedonasve), dhe kombësive (shqiptarëve, që ishin për një shkallë më ulët në barazi se kombet ) në Jugosllavi.