Arba ALIU
E quajta Tina se ashtu i pëlqen asaj ta thërrasin të tjerët, as kryetare as kryesuese e as Valentina po thjeshtë Tina, ndryshe nga liderët burra tek ne që hatërohen nëse nuk i thërret drejtor, kryetar, shef apo komandant. Po shkruaj këtu që ta shpreh haptas kënaqësinë për fillimin e ndërrimit të mendimit të opinionit(burrave)ndaj udhëheqjes së femrave në politikë, kjo që nga emërimi i Tinës si Kryesuese e Kuvendit Komunal, e para në historikun e kësaj komune, por e para edhe si femër meritore për këtë pozitë. E them me bindje të plotë që ky ndryshim duke u emëruar Tina si Kryesuese Kuvendi na erdhi jo nga ajo që një femër doemos duhet të jetë në një vend vendimmarrës që ta sheh populli se si ne i përkrahim ato, siç bëjnë shumica e partive politike në vend, por që një femër e dalë nga zgjedhjet komunale me meritë të plotë na doli si femra më e votuar në komunë duke i lënë pas edhe shumë meshkuj të cilët kishin alamet pozita në të kaluarën.
Tina po punon për njerëzit… Ajo është çdoherë afër njerëzve, e njëherë më shumë afër grave, të cilat me sinqeritetin më të madh po i bind që koha e tyre tashmë po vjen, dhe se me meritë duhet ta ndryshojnë qasjen meshkujve ndaj tyre duke iu dëshmuar se edhe femrat dinë të jenë biznesmene, drejtoresha, mësuese të suksesshme. Se Tinën vërtet po e do populli më së miri dëshmon puna e saj si kryetare e forumit të gruas së LDK-së dhe e rrethit të grave të këtij forumi i cili ndryshe nga forumet rinore e të grave që u mbajtën nga LDK dhe paritë e tjera në vend, ishte i vetmi që mbajti mbledhje të rregullta dhe me numër masiv të grave në të gjitha fshatrat e komunës së Gjilanit. Dëshmia më e mirë se Tinën vërtetë po e do populli erdhi në ditën kur u mbajt kuvendi i Forumit të gruas së LDK-së i cili është ndër më masivët që ishte mbajtur ndonjëherë në Gjilan i cili pati rreth 1.000 gra mysafire përpos delegateve të kuvendit, duke bërë që të prijë më numër të përkrahëseve femra edhe nga Kuvendi qendror i këtij forumi i mbajtur në Prishtinë.
Dëshmia se Tinën po e përkrahin gratë na del edhe në atë se sa herë që ka mbledhje komemorative siç ishte përvjetori i vdekjes së presidentit Rugova, apo përvjetori i manifestimit kulturor, ” Flaka e Janarit”, ku thuajse gjysmën e sallës së teatrit po e mbushin gratë e Forumit të LDK-së përkrahëse të Tinës, të cilat përpos që janë pjesë e forumit njëherësh janë intelektuale, profesoresha doktoresha e të cilat gjithashtu presin avancim në politikë, por edhe në pozitat udhëheqëse, jo për të qenë si numër i përmbushur me kuotë gjinore, por si potencial i nevojshëm e meritor në krye të këtyre pozitave. Një shembull i mirë se si duhet të përfitohet besimi në politikë si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt, duhet të merret po nga kjo udhëheqëse, e si model të mirë të punës së grave në politikë duhet ta marrin edhe femrat e partive tjera në Gjilan e gjetiu.
Duke e parë qëndrimin e saj si udhëheqëse kuvendi ajo na u shfaq si ndërmjetësuesja më e mirë në zgjedhjen e konflikteve verbale mes kuvendarëve të partive politike në Gjilan, duke dëshmuar se Tina vërtetë është model i një femre lidere, e cila me burrërinë e saj po arrin që shumë lehtë të jap zgjidhje në situatat nga më të sikletshme që të zgjedhurit tanë komunal u hasën.
Në Gjilan nuk është se nuk kemi femra me karrierë të gjatë politike, apo gra të dëshmuara profesionalisht me grada të larta universitare por, që përgjatë këtyre viteve ato nuk patën guxim të plotë ta dëshmojnë veten politikisht, kjo mendoj në bazë të mungesës së guximit të tyre të shfaqin vlerat si udhëheqëse, kjo, nga cenimi i të së drejtës që iu bë nga gjinia e kundërt në saje të mentalitetit kanunor të popullit tonë, i cili asnjëherë deri më tash nuk ua dha besimin me votë grave për ta dëshmuar veten si udhëheqëse në baze të meritës. Mirëpo tashmë e mira e gjithë kësaj është se shoqëria po arrin një dozë ndryshimi në këtë drejtim për të mirë, kjo në kuadër të asaj që po na e shfaqë me krijimin e një personazhi femër lidere të suksesshme siç është Tina, e disa gra tjera në vend, besimin tyre të fituar nga njerëzit shumë meshkuj do ta kishin zili.