Popullariteti i derbit në Gjilan mes KF. Gjilani – KF. Drita, tashmë ka dëshmuar se është ngjarja më e rëndësishme në futbollin kosovar, bile edhe përtej kufijve. Përveç, tifozëve gjilanas të të gjitha moshave e nga të dyja gjinitë, derbi zgjon interesim dhe kureshtje të futbolldashësve nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e vendeve të tjera të Rajonit, duke marrë pjesë gazetarë dhe përfaqësues të medieve për të transmetuar atmosferën nga vendi i ngjarjes.
Ditën e derbit shkallët e stadiumit pushtohen nga tifozët e zhurmshëm të të dyja taborëve, të kuqtë në njërën anë dhe të kaltrit në anën tjetër.
Por, njëri nga tifozët e veçantë të derbit “El Anamorava”, është Haxhi Fazli Fazliu nga Gjilani, i cili dashurinë ndaj futbollit nuk e ndan dot në dysh. Edhe pse në moshën 80 vjeçare, gjithmonë është në tribunat e stadiumit, sa herë që zhvillohet derbi i Anamoravës. Për Haxhi Fazliun, në Gjilan nuk ka dallime mes ekipesh apo ngjyrash, ngase adrenalinën që dhuron ky derbi dhe rivaliteti i pastër mes bashkëqytetarëve është imazhi identifikues i një qyteti ku frymon qytetaria.
Secili ekip që fiton, apo edhe në rastet kur ndahen pikët, për Haxhi Fazli Fazliun, është gëzim i paanshëm, pasi sipas tij fitues është futbolli dhe tradita e këtij derbi, marrë parasysh koreografitë e të dyja tifo-grupeve, ‘Skifterave’ dhe ‘Intelektualët’.
Haxhi Fazli Fazliun, do e shohim gjatë në tribuna sa të ketë shëndet, duke i dhënë bukuri grumbullit të madh të tifozëve në stadium. Atë do ta shohim sa një njërën tribunë sa në tjetrën, aty ku ai ndjehet më komod ta shoh ndeshjen dhe pse jo një ditë në një tribunë të veçantë, si një nga tifozët më të respektuar dhe besnik të derbit.
E. Sherifi