Japonia është mikpritëse e Kampionatit Botëror të xhudos. Dhe, tifozët japonezë duket të jenë mjaft mikpritës.
Tifozët japonezë dhe ata shqiptarë janë bërë bashkë për të bërë tifo për Kosovën në Kampionatin Botëror të xhudos, i cili po mbahet në Tokio.
Ata madje kanë veshur fanella të Kosovës me një slogan të bukur për vendin tonë: “Unë e dua Kosovën”.
Në tribuna kishte edhe tifozë shqiptarë, ndërsa prezent ishte edhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, të cilin trajneri Driton Kuka e ka falënderuar publikisht.
“Pamje e bukur nga tribunat në Tokio! Tifozë Japonez të Xhudos Kosovare së bashku me Shqiptarë që jetojnë në Japoni si dhe stafi Diplomatik i Kosovës! Ambasadori Leon Malazogu ka ba një punë të shkëlqyeshme dhe jemi mirënjohës për pritjen, organizimin e gjitha të tjerat rreth ekipit tonë. Tifozët Japonez me sllogan të bukur për vendin tonë: ‘Unë e dua Kosovën’. Gjithandej nëpër fanelat e tifozëve Japonez”, ka shkruar Kuka.
Kosova po merr pjesë në Botëror me pesë garues, ndërsa Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi tashmë kanë fituar medalje të bronztë.
Eksperiencën e Kosovës në “Tokyo 2019” do ta mbyllë Loriana Kuka, e cila do të garojë të premten.