Me rastin e festave të fundvitit është bërë dukuri shitja dhe përdorimit i mjeteve piroteknike, ku si pasojë shumë qytetarë e posaçërisht fëmijë pësojnë lëndime trupore e madje përcillet me frikë, pasiguri dhe shqetësime nga ana e tyre, kanë thënë drejtues të subjektit politikë Alternativa në Gjilan.
“I bëjmë thirrje Kryetarit te komunës së Gjilanit të bëjë dhe këtë punë të hajrit dhe të e ndalojë përdorimin e mjeteve piroteknike në vendet e hapura e publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe të Komunës së Gjilanit”, ka thënë Alfred Halili, kryetar i Alternativës në Gjilan..
Sipas tij, një ndalesë të tillë tashmë e kanë bërë komunat si Prishtina, Prizreni, Ferizaj, Rahoveci, Suhareka, Drenasi dhe Klina prandaj, edhe komuna e Gjilanit duhet që sa më parë të nxjerrë urdhëresën për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, dhe të vendoset gjobë për ata që nuk e respektojnë ndalesën.
“Përdorimi i mjeteve piroteknike tashmë është parë se ka kontribuar vetëm në lëndimin e qytetarëve, dëmtimin e qytetarit deri në rrezikim të jetës së tij, po ashtu përveç dëmeve në ekonominë familjare, ato i kontribuojnë edhe ndotjes së ajrit”, ka thënë tutje Halili.
Sipas tij, çdo vonesë në ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, vlerësojmë se është vonesë në parandalimin e rrezikimit të jetës së qytetarëve. Festat mund të festohen edhe pa përdorimin e mjeteve të rrezikshme.