Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka shtuar intensitetin e përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës në kuadër të parakualifikueseve për Kampionatin Botëror 2023.
Kosova fillimisht do të ndeshet nesër me Islandën, ndërsa më 23 shkurt “Dardanët” janë mysafirë të Luksemburgut.
Tifozët “Dardanët” kanë paralajëmruar një atmosferë dhe një mbështetje të madhe për Kosovën në këtë takim.
Thirrja e Dardanëve:
Tifozë të dashur, nesër nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Kosova jonë përballët me Islandën në kuadër të para-kualifikimeve për botërorin 2023.
Dardanët do jenë në përkrahje të lojtarëve tanë deri në sekondën e fundit, për fitoren e parë në grup. Fillojmë të grumbullohemi nga ora 17:00 në FanClub “Dardanët” për të vazhduar pastaj bashkërisht për në ndeshje.
Dardanët posedojnë një numër të limituar biletash, që do shpërndahen në FanClub para nisjes, së bashku me nga një shallë me simbole të Kosovës ose Dardanëve.
Nesër të gjitha rrugët na dërgojnë në palestër. Nesër vetëm për fitore. Për informata më të hollësishme rreth organizimit të tifozëve, kontaktoni personat përgjegjës në qytetet e juaja.
Të kujtojmë se ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll mund t’i ndiqni në platformën televizive, Artmotion.